Këto ditë, pas urdhrit të Kryeministrit që deputetët të presin njerëzit dhe të dëgjojnë shqetësimet e tyre, pamë një skenë historike. Deputetë të rinj me bllok në dorë. Disa pritën 40 persona. Të tjerë i dëgjuan me shumë seriozitet. U shënuan hallet, problemet, kërkesat… dhe me siguri blloku do të arkivohet si dëshmi e një epoke të re të demokracisë dëgjuese.
Por imagjinoni sikur Ministrja e Arsimit të nxirrte nesër një urdhër:“Nga dita e nesërme, të gjithë mësuesit të fillojnë të japin edhe mësim.”Dhe të nesërmen të shihnim mësuesit në Facebook:“Mirëmëngjes! Sot zhvilluam orën e parë të mësimit. Ja edhe blloku im!”
Ose një mjek të postonte:“Me urdhër të ministrit, sot prita pacientë dhe dëgjova ankesat e tyre.
”Apo një polic:“Sot, për herë të parë, dola në rrugë dhe u mora me qytetarët.”
Problemi nuk është që deputetët po takojnë njerëzit. Problemi është që po na e shesin si arritje një detyrë që duhej të ishte arsyeja pse janë deputetë.
Nuk ka nevojë për urdhër të Kryeministrit që një deputet të dëgjojë qytetarin.
Nuk ka nevojë as për bllok. Dhe, mbi të gjitha, nuk ka nevojë për fotografi në Facebook për të dëshmuar se po bën punën për të cilën je zgjedhur. Sepse nëse duhet një urdhër që deputeti të zbresë nga zyra, të takojë njerëzit dhe të dëgjojë hallet e tyre…atëherë ndoshta problemi nuk është te qytetari që ka shumë halle. Problemi është se deputeti ka harruar pse është zgjedhur.

Lini një Përgjigje