“Kur të kaloj atë derë, do të shpëtoni nga unë” – Çfarë ka dashur të thotë Rama për të ardhmen?

MATILDA KURTI

Dje, një tjetër deklaratë e Kryeministrit Edi Rama qarkulloi me shpejtësi në rrjet, thuajse si një prej atyre shprehjeve të tij që bëhen menjëherë “copy-paste”. Por kjo nuk është një fjali që mund të kalohet thjesht si një batutë. Sepse Rama, kur flet për politikën dhe sidomos për pushtetin, rrallëherë përdor vetëm një kuptim. Është politikan, por është edhe artist. Dhe gjuha e tij shpesh është e ndërtuar mbi metafora, ironi dhe fjali që të detyrojnë të mendosh edhe pas mbarimit të intervistës.

Këtë herë tha: “Ai që të sfidon dhe bëhet pasardhës, ai duhet të të vrasë. Unë personalisht nuk kam ndërmend të zgjedh pasardhës. Në momentin që unë e kapërcej pragun e asaj dere, do të shpëtoni nga unë.”

Dhe pikërisht këtu nis pyetja. Çfarë deshi të thoshte Rama? Sepse ai nuk tha: “Nuk do të kem pasardhës.”

“Unë personalisht nuk kam ndërmend të zgjedh pasardhës. ” Një fjali që mund të tingëllojë demokratike: nuk do ta emëroj unë trashëgimtarin, le ta përcaktojë gara. Por mund të lexohet edhe ndryshe: pse duhet të flasim për pasardhësin, kur unë nuk po mendoj ende të largohem? Sepse Rama nuk thotë se nuk do të ketë pasardhës. Thotë se nuk do ta zgjedhë ai.

Por më interesante është deklarata tjetër. “Kur të kaloj atë derë, do të shpëtoni nga unë.”Kjo nuk tingëllon si një deklaratë për një largim të afërt. Përkundrazi, e vendos largimin në një moment të papërcaktuar. Një ditë do të ndodhë, por jo tani afër, dhe Rama nuk e thotë kur.

Dhe këtu deklarata bëhet më interesante politikisht. Sepse për sa kohë ai është në atë zyrë, çështja e pasardhësit mbetet e hapur. Ai nuk po shpall një emër, nuk po jep një afat dhe nuk po përgatit publikisht një dorëzim të stafetës. Ai që duhet të vijē duhet të jetë më I fortë se unë në ndërtimin e një rruge politike, dhe për momentin nuk ka një të tillë.

Mund të jetë thjesht respekt për garën politike. Mund të jetë bindja se një lider nuk duhet të caktojë atë që do të vijë pas tij. Por mund të jetë edhe diçka tjetër. Ndoshta Rama thjesht nuk e konsideron ende veten në fund të rrugës politike. Dhe kjo është ajo që e bën deklaratën më të fortë se një përgjigje mbi pasardhësin. Rama duket sikur thotë: mos kërkoni ende kush do të vijë pas meje; unë jam ende këtu. Deri tani ska ende një person që më sfidon mua.

Pyetja është nëse Edi Rama po mendon realisht për një Shqipëri politike pas Edi Ramës, apo nëse, edhe pas kaq shumë vitesh në pushtet, ai ende e sheh largimin si një moment aq të largët sa nuk ka ardhur koha as për të zgjedhur, as për të diskutuar pasardhësin.


Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *