Pse pikërisht Eric Wendt?
NGA: MATILDA KURTI
Kjo është pyetja që lind pas zgjedhjes së gjeneralit amerikan në pension si ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Wendt nuk vjen nga diplomacia tradicionale. Ai ka mbi 34 vite shërbim në Ushtrinë amerikane dhe rreth 30 vite në forcat speciale, ndërsa një nga postet më të rëndësishme të karrierës së tij ka qenë drejtimi i NATO Special Operations Headquarters. Pikërisht këtu mund të gjendet edhe një nga çelësat për të kuptuar zgjedhjen e tij për Tiranën.
Gjatë karrierës ushtarake, Wendt ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me strukturat shqiptare të sigurisë.
Si komandant i NATO-s për operacionet speciale, ai ka punuar me forcat speciale të vendeve aleate, përfshirë Shqipërinë. Më herët, në Afganistan, ka shërbyer në një strukturë shumëkombëshe ku ishin të angazhuara edhe trupa shqiptare.
Pra, Shqipëria nuk është një destinacion krejt i panjohur për të.
Një ambasador me profil sigurie. Profili i Wendt është veçanërisht interesant për një vend si Shqipëria, anëtare e NATO-s dhe pjesë e arkitekturës së sigurisë së Aleancës në Ballkan. Në dëshminë e tij përpara Komisionit të Jashtëm të Senatit, Wendt përcaktoi katër prioritete për misionin e tij në Shqipëri: sigurinë, mbrojtjen, prosperitetin ekonomik dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Ai foli gjithashtu për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe bashkëpunimin në fushën kibernetike. Në këtë kuadër, zgjedhja e një ish-gjenerali të forcave speciale, në vend të një diplomati tradicional, merr një kuptim më të veçantë.
Porto Romano, NATO dhe siguria. Gjatë dëshmisë në Senat, Wendt foli edhe për rëndësinë strategjike të Porto Romanos dhe për mundësinë që ai të zhvillohet në funksion të NATO-s dhe forcave amerikane.
Ai deklaroi gjithashtu se do të mbështeste SPAK-un në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Këto deklarime tregojnë se misioni i tij në Shqipëri nuk pritet të kufizohet vetëm te marrëdhëniet diplomatike klasike.
Një tjetër detaj: investimet e familjes Trump
Gjatë seancës së konfirmimit, Wendt u pyet edhe për investimet e mundshme të familjes Trump në Shqipëri dhe për mënyrën se si do të vepronte në rast të një konflikti interesi. Përgjigjja e tij ishte se si ambasador do të zbatonte rregullat dhe do të kryente detyrën e tij pavarësisht interesave të kompanive. Kjo pjesë e seancës e bëri kandidaturën e tij edhe më interesante në kontekstin shqiptar.
Pse pikërisht Wendt?
Nuk ka një deklaratë publike nga Presidenti Trump apo Departamenti i Shtetit që thotë se ky është shkaku konkret pse u zgjodh Wendt për Shqipërinë.Por profili i tij jep disa të dhëna të qarta: eksperiencë në NATO, operacione speciale, njohje të strukturave shqiptare të sigurisë, eksperiencë në zona konflikti dhe një fokus të fortë te siguria dhe mbrojtja.
Në vend që të jetë thjesht një përfaqësues diplomatik, Wendt vjen në Tiranë me një CV të ndërtuar kryesisht mbi sigurinë, mbrojtjen dhe aleancat ushtarake. Dhe pikërisht ky është detaji që e bën zgjedhjen e tij për Shqipërinë të dallojë nga një emërim rutinë diplomatik.
Eric Wendt tashmë është konfirmuar nga Senati amerikan dhe pritet të marrë detyrën në Tiranë.
Pyetja që mbetet në dilemë: A është zgjedhja e një gjenerali të forcave speciale për Shqipërinë një sinjal për rëndësinë që Uashingtoni po i jep sigurisë, NATO-s dhe rolit strategjik të Shqipërisë në rajon?
Argumentinews.com


Lini një Përgjigje