PROFESION SOT, UNIVERSITET NESËR

Pse duhet të zgjidhni arsimin profesional

MATILDA KURTI

Me nisjen e vitit të ri shkollor më 14 shtator, për mijëra të rinj dhe familjet e tyre vjen një nga zgjedhjet më të rëndësishme: çfarë arsimi do të ndjekin dhe çfarë profesioni duan të ndërtojnë për të ardhmen?

Në vitet e fundit, arsimi profesional është kthyer në një prioritet të rëndësishëm të politikave të qeverisë Rama dhe institucioneve përgjegjëse për arsimin, formimin profesional dhe punësimin. Reforma synon një arsim profesional më të lidhur me ekonominë, biznesin, teknologjinë dhe nevojat reale të tregut të punës.

Vetë AKAFPK vijon në vitin 2026 hartimin dhe përditësimin e standardeve e skeletkurrikulave profesionale, në funksion të një sistemi të unifikuar kualifikimesh.

Por pse duhet ta zgjedhë një i ri arsimin profesional?

Sepse arsimi profesional nuk është një alternativë e dytë ndaj gjimnazit. Është një rrugë drejt një profesioni, punësimit dhe, njëkohësisht, universitetit.

  • Të jep një profesion, jo vetëm një diplomë.
  • Nxënësi fiton njohuri teorike, por mbi të gjitha ndërton aftësi praktike që mund t’i përdorë në një vend pune real.
  • Të afron me tregun e punës që gjatë shkollës.
  • Praktika profesionale dhe bashkëpunimi me biznesin e bëjnë shkollën më të lidhur me realitetin ekonomik dhe me kërkesat e profesionit.
  • Arsimi dual e çon këtë lidhje edhe më tej, si praktikim dhe punësim me kohë të pjesëshme. Paguesh duke kryer praktikë profesionale.
  • Nxënësi mëson në shkollë dhe praktikon në biznes, duke fituar eksperiencë, disiplinë profesionale dhe njohje me mjedisin real të punës.
  • Sistemi 4-vjeçar nuk të mbyll derën e universitetit.

Përkundrazi, nxënësi mund të përfundojë një arsimim profesional, të fitojë një profesion dhe më pas të vijojë studimet e larta sipas rrugës së tij akademike dhe profesionale.

Pra, zgjedhja nuk është “profesion apo universitet”. Është: “PROFESION SOT, UNIVERSITET NESËR.”

Një tjetër avantazh është orientimi i sistemit drejt kualifikimeve të strukturuara dhe të krahasueshme, përmes Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve dhe lidhjes së niveleve të saj me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve. Kjo rrit transparencën e kualifikimeve dhe lidhjen e tyre me tregun e punës.

Kjo do të thotë se i riu nuk duhet të mendojë vetëm për vendin e punës sot, por për mobilitetin profesional nesër. Një profesion i ndërtuar mbi aftësi, kompetenca dhe standarde të njohura i jep më shumë mundësi për të konkurruar në Shqipëri, Europë dhe më gjerë.

Në një ekonomi ku teknologjia ndryshon profesionet dhe tregu kërkon gjithnjë e më shumë njerëz të kualifikuar, nuk mjafton të dish. Duhet të dish të bësh. Dhe pikërisht këtu qëndron vlera e arsimit profesional.

Shkolla të jep dijen. Praktika të jep përvojën. Profesioni të jep mundësinë.

Më 14 shtator, pyetja për një të ri nuk duhet të jetë vetëm “Çfarë shkolle do të ndjek?” Por: “Çfarë profesionisti dua të bëhem?”

Profesion sot. Universitet nesër. Mundësi për karrierë në Shqipëri, Europë dhe botë. Ky është arsimi profesional i së ardhmes.


Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *