MATILDA KURTI
Kur shteti përplaset me pronën: Çfarë po ndodh me murin me Certifikatë Pronësie vitit 1998 në Pogradec?
Në Pogradec po ngrihet një pyetje që nuk mund të kalojë në heshtje: a mundet një institucion shtetëror të kërkojë shembjen e një muri rrethues të një prone private, të ndërtuar prej dekadash dhe të lidhur me kufijtë e pronësisë, pa u sqaruar më parë në mënyrë transparente baza ligjore dhe procedura administrative?
Rasti i murit rrethues, i ndërtuar që në vitin 1998 dhe i pretenduar nga pronarët si pjesë e kufirit të regjistruar të pronës, ka vënë përballë qytetarin dhe Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Dhe këtu nuk bëhet fjalë thjesht për disa metra mur. Bëhet fjalë për parimin se ku përfundon pushteti i shtetit dhe ku fillon e drejta e qytetarit.
Një mur i vjetër, një problem i ri. Sipas pretendimeve të pronarit, muri ka ekzistuar që prej vitit 1998. Pra, nuk kemi të bëjmë me një ndërtim të sapodalë në mes të natës, as me një strukturë të ngritur dje për t’i shpëtuar kontrollit të institucioneve. Për më shumë se dy dekada ai mur ka qenë aty. Ndërkohë, më vonë është ndërtuar një rrugë publike, e cila është afruar me kufirin e pronës.
Dhe pikërisht këtu lind konflikti: A duhet të përshtatet prona private me një ndërhyrje të mëvonshme publike, apo duhet të respektohet kufiri ligjor i pronës dhe të ndiqet procedura përkatëse nga shteti?
- Kjo është pyetja që kërkon përgjigje. IKMT nuk mund të jetë mbi ligjin. Shteti ka të drejtë të kontrollojë territorin.
- Shteti ka të drejtë të ndalojë ndërtimet e paligjshme.
- Shteti ka të drejtë të ndërhyjë kur ligji shkelet.
- Por pikërisht sepse është shtet, duhet të jetë i pari që respekton ligjin dhe procedurën.
Nëse një pjesë e pronës private duhet të preket për një interes publik, çështja nuk mund të reduktohet në një njoftim për prishje. Duhet të sqarohet baza ligjore, kufiri i pronës, akti administrativ, e drejta e ankimit dhe, kur është rasti, procedura e shpronësimit dhe kompensimit. Përndryshe qytetari përballet me një situatë absurde: pronën e ka në dokumente, por kufirin e saj mund ta vendosë një institucion me një letër. Dhe kjo është pikërisht ajo që duhet hetuar. Dokumenti që ngre pikëpyetje Sipas denoncimit, njoftimi i IKMT-së për prishje vullnetare pretendohet se nuk përmban elementë të rëndësishëm formalë, përfshirë mungesën e një numri protokolli dhe firmës së titullarit. Nëse këto pretendime provohen nga dokumentacioni zyrtar, atëherë kemi një problem shumë më të madh se një mur.
Kemi një problem me mënyrën se si ushtrohet autoriteti administrativ. Sepse një qytetar (nnuk mund të jetë i detyruar të bindet ndaj një urdhri vetëm sepse dokumenti mban logon e një institucioni. Autoriteti shtetëror buron nga ligji, jo nga logoja e institucionit. Dhe pikërisht për këtë arsye çdo akt administrativ duhet të jetë i identifikueshëm, i arsyetuar dhe i kontrollueshëm. Po prona private, ku mbetet? Kushtetuta dhe ligji nuk e trajtojnë pronën private si një pengesë që shteti mund ta largojë sa herë që i duhet hapësira.
Nëse kufijtë e pronës janë të regjistruar dhe muri ndodhet brenda tyre, atëherë çdo pretendim i kundërt duhet të provohet me dokumente. Jo me presion. Jo me kërcënimin e prishjes. Jo me një afat që e vendos qytetarin përballë faktit të kryer.
Shteti duhet të bindë qytetarin me ligj, jo ta detyrojë qytetarin me frikë. Pogradeci nuk ka nevojë për precedentë të tillë. Ky rast duhet të sqarohet publikisht. Duhet të bëhen transparente dokumentet. Duhet të dihet:- Ku janë kufijtë e pronës sipas dokumentacionit zyrtar?- Kur është ndërtuar rruga dhe në çfarë distance nga prona?- Cili është akti konkret që kërkon prishjen?- Kush e ka firmosur?- A është protokolluar akti?- Cila është baza ligjore e ndërhyrjes?-
A është konstatuar ndonjë shkelje konkrete nga pronari?- Nëse preket prona private për një interes publik, a është ndjekur procedura ligjore përkatëse? Këto nuk janë pyetje politike. Janë pyetje që një shtet normal duhet t’u përgjigjet qytetarëve të vet. Sepse sot është një mur…Sot mund të jetë një mur rrethues.Nesër mund të jetë një oborr. Pasnesër mund të jetë një pjesë tjetër e pronës. Dhe nëse krijohet ideja se një institucion mund të kalojë mbi dokumentet e pronësisë pa një procedurë të qartë dhe të kontrollueshme, atëherë problemi nuk është më vetëm i një familjeje.
Eshtë problem i çdo qytetari që ka një pronë. Prona private nuk mund të mbrohet vetëm në letër. Ajo duhet të mbrohet edhe përballë institucioneve. Prandaj rasti i Pogradecit kërkon transparencë, jo heshtje. Kërkon dokumente, jo presion. Kërkon ligj, jo arbitraritet. Sepse një shtet i fortë nuk është ai që rrëzon më shpejt një mur. Një shtet i fortë është ai që nuk ka nevojë të shkelë të drejtat e qytetarit për të zbatuar ligjin. Dhe pyetja mbetet: Kush po mbron ligjin në Pogradec – qytetari që kërkon të ruajë pronën e dokumentuar, apo institucioni që kërkon ta prishë atë?

Lini një Përgjigje