GRUAJA E PARË NË DREJTIMIN E BURGJEVE NË SHQIPËRI
MATILDA KURTI
Në maj të vitit 2018, një juriste shqiptare që ndiqte studimet pasuniversitare në Wayne State University, në Detroit të Shteteve të Bashkuara, u vlerësua me çmimin “Warrior Pro Bono Award” për angazhimin e saj në ofrimin e shërbimeve ligjore vullnetare për komunitetin.
Emri i saj ishte Sadleva Bodo. Tetë vjet më vonë, pas një karriere në administratën publike dhe në institucionet e drejtësisë, Bodo merr drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke u bërë gruaja e parë në këtë detyrë.
E lindur më 29 janar 1988, ajo u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 2010. Formimin akademik e vijoi në SHBA, ku përfundoi programin LL.M në Wayne State University, si dhe në Holandë, ku ndoqi programin për Menaxhimin e Migracionit në Universitetin e Maastricht-it.Karrierën profesionale e nisi si këshilltare ligjore pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Më pas punoi në sektorin bankar dhe atë privat, përpara se të angazhohej në strukturat e kontrollit dhe integritetit publik pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).
Një etapë e rëndësishme e formimit të saj ishte qëndrimi në Shtetet e Bashkuara, ku punoi si asistente ligjore pranë një firme avokatie në Michigan dhe më pas pranë gjyqtares Jennifer Faunce. Gjatë kësaj periudhe mori edhe çmimin “Warrior Pro Bono Award”, në shenjë vlerësimi për angazhimin në ndihmën juridike vullnetare.
Pas kthimit në Shqipëri, nga maji i vitit 2018 deri në gusht të vitit 2021, Bodo drejtoi Drejtorinë e Integrimit Europian, Koordinimit, Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe Asistencës në Ministrinë e Brendshme. Në këtë pozicion, përgjegjësitë e saj lidhen me koordinimin institucional dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Në gusht të vitit 2021, ajo iu bashkua Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ku shërbeu si këshilltare ligjore e drejtorit. Përgjatë rreth pesë vjetësh, punoi fillimisht me Aida Hajnajn dhe më pas me Joni Ketën, duke qenë pjesë e kabinetit drejtues të një institucioni kyç në strukturën e drejtësisë së re.
Paralelisht me angazhimin në institucionet publike, që prej dhjetorit të vitit 2022, Bodo është anëtare e Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, strukturë që merret me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në fushën përkatëse.
Emërimi në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve shënon etapën e radhës në karrierën e saj, tashmë në drejtimin e një institucioni me përgjegjësi të drejtpërdrejta për administrimin e sistemit penitenciar.
Nga studimet dhe përvoja profesionale në Shtetet e Bashkuara, te administrata publike, BKH-ja dhe tashmë drejtimi i Burgjeve, rrugëtimi i Sadleva Bodos përmbledh disa prej etapave të një karriere të ndërtuar mes së drejtës, institucioneve dhe shërbimit publik. Sfida e re do të jetë kthimi i këtij formimi profesional në rezultate konkrete për funksionimin e sistemit penitenciar.

Lini një Përgjigje