Shqipëria një hap më pranë BE-së.
MATILDA KURTI
Nga Luksemburgu, Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, përcolli një mesazh të drejtpërdrejtë për ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, pas mbylljes së përkohshme të Kapitullit 20 të negociatave me Bashkimin Europian.
“Dua të përgëzoj institucionet shqiptare për një tjetër arritje. Dhe ju, ministre Delina, kjo është arritja juaj”, ishte mesazhi i Kos për Ibrahimajn, duke vlerësuar punën e bërë në fushën e sipërmarrjes dhe politikave industriale.
Kapitulli 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”, nuk është thjesht një tjetër etapë e procesit negociues.
Ai lidhet drejtpërdrejt me aftësinë e bizneseve shqiptare për t’u rritur, për të investuar në teknologji dhe inovacion, për të konkurruar në tregun europian dhe për të krijuar vende të reja pune. Komisionerja Kos vuri në dukje rëndësinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat i cilësoi si shtyllën kurrizore të ekonomisë shqiptare. Përafrimi i politikave industriale me standardet europiane synon të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e tyre, veçanërisht në fushën e teknologjive të reja dhe teknologjive të pastra.
Për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, ky rezultat vjen pas punës për rishikimin e Strategjisë së Zhvillimit të Biznesit, politikat industriale, pagesat e vonuara dhe masat që lidhen me strategjinë e eksporteve. Sipas Ibrahimajt, strategjisë i janë shtuar 13 masa të reja, të orientuara drejt rritjes së produktivitetit, zgjerimit të financimit dhe zhvillimit të një ekonomie më konkurruese.
Por mesazhi europian nuk ndalet te përgëzimet. Marta Kos rikonfirmoi mbështetjen e BE-së për ambicien e Shqipërisë për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, duke theksuar se për këtë nevojiten rezultate të mëtejshme, veçanërisht në reformat themelore.
Mbyllja e përkohshme e Kapitullit 20 është kështu një rezultat konkret në rrugën europiane të Shqipërisë. Sfida e radhës është që reformat të përkthehen në më shumë mundësi për sipërmarrjen shqiptare, investime, eksporte dhe vende pune.
Integrimi europian nuk arrihet vetëm me kapitujt që mbyllen, por edhe me ndryshimet që qytetarët dhe bizneset përjetojnë në ekonomi.

Lini një Përgjigje