KODI I RI I ETIKËS SË MINISTRISË SË SË ARSIMIT:

MATILDA KURTI

Leje nga eprori për angazhimet jashtë detyrës, kufizime për veshjen dhe ndalime për aktivitetet politike

Kodi i Etikës i miratuar nga ministrja Mirela Kumbaro përcakton rregulla për sjelljen e punonjësve të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, përdorimin e burimeve shtetërore dhe shmangien e konfliktit të interesit. Rregullat për sjelljen profesionale shtrihen edhe jashtë ambienteve dhe orarit të punës. Punonjësit e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit nuk do të mund të angazhohen lirisht në aktivitete të tjera jashtë detyrës zyrtare pa marrë më parë miratimin e eprorit. Ky është një nga përcaktimet e Kodit të Etikës, i cili synon të përcaktojë kufijtë mes funksionit publik, interesave personale dhe përgjegjësisë institucionale.

Përpara dhënies së lejes, do të vlerësohet nëse angazhimi i kërkuar është në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi. Në këtë mënyrë, institucioni synon të parandalojë situatat ku veprimtaritë private mund të cenojnë ushtrimin e paanshëm të detyrës publike.

Neutraliteti politik është një tjetër pikë e rëndësishme e kodit. Pajisjet, kompjuterët, sistemet teknologjike dhe të dhënat zyrtare duhet të përdoren vetëm për qëllime institucionale. Shfrytëzimi i këtyre burimeve për organizime politike apo elektorale nuk lejohet, me synimin për të shmangur përdorimin partiak të kapaciteteve shtetërore.

Rregullat prekin edhe paraqitjen e punonjësve në ambientet e punës.

Kodi kërkon shmangien e veshjeve ekstravagante dhe sportive, si dhe të makiazhit të tepruar. Po ashtu, ndalon veshjet apo simbolet që ekspozojnë bindjet politike, në funksion të ruajtjes së një imazhi profesional dhe institucional.

Një kapitull i veçantë i kushtohet konfliktit të interesit. Vendimmarrja duhet të mbështetet te ligji dhe interesi publik, jo te përfitimet personale apo ndërhyrjet politike. Kur një punonjës gjendet përballë një konflikti të mundshëm interesi, ai duhet të kërkojë të mos përfshihet në trajtimin e çështjes përkatëse. Kodi vendos gjithashtu kufij ndaj korrupsionit dhe abuzimit me funksionin publik.

Punonjësit nuk mund të kërkojnë apo të marrin dhurata, favore dhe përfitime për vete ose për persona të afërt, kur ato mund të ndikojnë në paanshmërinë e tyre. Mesazhi i Kodit të Etikës është i qartë: funksioni publik kërkon integritet, paanshmëri dhe përgjegjësi.

Sfida mbetet zbatimi konkret i këtyre standardeve, në mënyrë që rregullat të mos mbeten vetëm në letër, por të shërbejnë si garanci për një administratë profesionale dhe në shërbim të interesit publik.


Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *