Një djalë 20-vjeçar humbi jetën në Korçë. Një jetë u ndërpre në pak sekonda. Një tjetër i ri, Kristjan Sterjo, dyshohet se i mori jetën me armë zjarri. Një familje humbi djalin e saj. Një qytet u trondit, policia dhe forcat RENEA u vunë në lëvizje dhe pas krimit nisën hetimet për të zbardhur rrethanat që çuan në një fund tragjik.

Por pas krimit mbetet një pyetje që shkon përtej sekondave të konfliktit.Por përtej krimit dhe përtej sekondës kur u tërhoq këmbëza, mbetet një pyetje shumë më e rëndë: Çfarë e bën një të ri të besojë se mund të ketë në dorë jetën e një tjetri? Çfarë e bind se një konflikt mund të zgjidhet me armë? Çfarë i jep sigurinë se mund të kërcënojë, të sfidojë, të frikësojë dhe të vazhdojë rrugën sikur asgjë nuk ka ndodhur? Sepse një armë mund të blihet apo të sigurohet. Por ndjenja e paprekshmërisë nuk blihet në dyqan. Ajo krijohet, ushqehet, forcohet. Kjo ndonjëherë, fatkeqësisht, mund të ushqehet edhe nga bindja se pas teje qëndron dikush. Ky është shqetësimi që duhet të shkojë përtej kronikës së vrasjes së Joan Zukos. Në redaksinë e Argumentinews, kanë mbërritur njoftime ku pretendohet se Kristjan Sterjo kishte pasur edhe më herët episode të dhunshme, përfshirë armëmbajtje dhe kërcënime. Denoncuesit pretendojnë gjithashtu se raste të mëparshme janë mbyllur përmes ndërhyrjes së një të afërmi të tij, të cilin e identifikon si Kristaq Sterjo dhe për të cilin pretendon se ka pasur funksion drejtues në SHISH.
Këto janë pretendime të një qytetari dhe duhet të verifikohen nga organet kompetente. Por pikërisht këtu qëndron detyrimi i institucioneve. Nëse janë të pavërteta, le të hidhen poshtë me fakte. Por nëse janë të vërteta, atëherë kemi një skandal shumë më të madh se një konflikt që përfundoi në vrasje. Sepse atëherë pyetja nuk është më vetëm: “Pse vrau?” Pyetja bëhet: “Pse arriti deri aty?” A kishte pasur më parë sinjale? A kishte pasur denoncime? A kishte pasur kërcënime? A kishte pasur armë? A kishte pasur raste ku ligji duhej të kishte ndërhyrë? Dhe, nëse po, pse nuk ndërhyri? Një i ri mund të jetë impulsiv. Mund të jetë i papjekur. Mund të rrëmbehet nga zemërimi. Mund të bëjë një veprim fatal në një moment të pakontrolluar. Por një tjetër gjë është të rritet brenda tij bindja se nuk ka pasoja. Kjo është më e frikshme. Sepse kur një njeri beson se është i paprekshëm, ai nuk i trembet më ligjit. Dhe kur nuk i trembet ligjit, fillon t’u imponojë të tjerëve ligjin e tij. Arma bëhet autoritet. Frika bëhet mjet. Jeta e tjetrit bëhet një pengesë që mund të hiqet.
Këtu nis tragjedia e vërtetë. Nuk mjafton të arrestohet autori pas krimit. Një shtet serioz duhet të pyesë dhe të tregojë, se çfarë ka ndodhur përpara krimit. Sepse nëse dikush ka kaluar më parë kufijtë e ligjit dhe është kthyer në rrugë, atëherë shoqëria duhet të dijë pse. Nëse dikush ka mbajtur armë dhe ka kërcënuar njerëz dhe nuk është ndalur, duhet të dihet pse. Nëse dikush ka përfituar nga një mbiemër, një miqësi, një telefonatë apo një lidhje me pushtetin, duhet të dihet kush e ka bërë këtë, sepse pandëshkueshmëria është bashkëfajtorja më e heshtur e krimit të ardhshëm. Ajo i mëson autorit të ardhshëm se ligji është i negociueshëm. Se disa njerëz mund të shpëtojnë. Se disa dyer hapen vetëm për ata që kanë lidhjet e duhura. Se mund të bësh atë që të tjerët nuk guxojnë. Dhe kështu krijohet një kategori njerëzish që nuk kanë pushtet real, por besojnë se kanë pushtet mbi të tjerët. Kush ua jep këtë bindje? Kush ua ushqen? Kush ua mban gjallë? Kjo është pyetja që shteti duhet t’i përgjigjet. Sepse pa një mburojë pas vetes, një i ri mund të ketë armë në dorë, por nuk është i gjithëpushtetshëm. Pa hijen e pushtetit, askush nuk është i pushtetshëm mbi jetën e tjetrit. Duhet të shkojë deri te dora që mund ta ketë mbajtur mburojën. Joan Zuko nuk mund të kthehet. Por e vërteta mund të zbulohet. Dhe nëse ka pasur një histori që e ka çuar këtë ngjarje drejt tragjedisë, ajo duhet të dalë në dritë.

Lini një Përgjigje