NGA:Matilda Kurti
Të premten, në mesditë, udhëtuam drejt Krujës për të drekuar dhe më pas do të vazhdonim drejt një destinacioni tjetër. Në qendër, pranë Kalasë, ndaluam në një prej hoteleve më të njohura të qytetit. Kur hymë në restorant, pamja ishte ajo që do të donim të shihnim gjithmonë në një qytet turistik shqiptar: plot e përplot me vizitorë. Për fatin tonë, u lirua një tavolinë. Por gjatë qëndrimit kuptuam diçka tjetër: në atë sallë, pothuajse të vetmit shqiptarë ishim ne. Përreth dëgjoheshin frëngjishtja, italishtja, gjermanishtja dhe gjuhë të tjera të turistëve që kishin zgjedhur Krujën për të vizituar historinë, kulturën dhe bukurinë e saj. Ishte një pamje për t’u krenuar.Shqipëria është bërë një destinacion i fortë turistik dhe Kruja është një nga qytetet që e dëshmon më mirë këtë.Por vetëm një ditë më pas, ndërsa ne ishim larguar nga qyteti, morëm lajmin për zjarrin që kishte përfshirë Malin e Krujës. Dhe këtu nis një tjetër histori.Një histori që këtë herë nuk lidhet me turistët që mbushin hotelet dhe restorantet, por me sigurinë e tyre, me sigurinë e banorëve dhe me mënyrën se si Shqipëria menaxhon një prej rreziqeve më të mëdha të muajve të verës.Lajmi i mirë ishte se zjarri u vu nën kontroll dhe situata nuk u kthye në një tragjedi. Rreth 300 punonjës të Policisë së Shtetit, së bashku me zjarrfikësit, Forcat e Armatosura dhe strukturat e emergjencave civile, u angazhuan në terren. Policia evakuoi banorë, u përdorën autobote dhe mjete ujëhedhëse dhe strukturat shtetërore u mobilizuan për të frenuar përhapjen e flakëve. Për këtë reagim ka padyshim vend për vlerësim. Por pikërisht sepse rezultati ishte pozitiv, duhet të bëjmë edhe pyetjen tjetër: A duhet të presim që zjarri të shpërthejë për të aktivizuar gjithë këtë mekanizëm?Një qytet që pret mijëra turistë gjatë verës duhet të ketë jo vetëm një reagim të shpejtë ndaj emergjencës, por edhe një sistem të fortë parandalimi.Gjatë një udhëtimi në një zonë pyjore pranë Selanikut, në një verë me temperatura shumë të larta, pamë masa të posaçme të vendosura në pyll për mbrojtjen nga zjarret dhe reagimin në rast emergjence. Ishte e dukshme se parandalimi ishte menduar përpara se të shfaqej flaka. Dhe kjo është ajo që duhet të kërkojmë edhe për Malin e Krujës. Pse të mos kemi monitorim të vazhdueshëm, pika uji, akses të garantuar për mjetet zjarrfikëse, pastrim të zonave të rrezikuara dhe një plan të qartë emergjence për banorët dhe turistët? Mali i Krujës nuk është një territor i pafund dhe i pamundur për t’u menaxhuar. Përkundrazi. Është një zonë pranë një prej qyteteve turistike më të rëndësishme të vendit dhe pikërisht për këtë arsye duhet të jetë ndër zonat më të mbrojtura. Nuk mjafton të jemi të zotë në fikjen e zjarrit. Duhet të jemi edhe më të zotë në parandalimin e tij. Sepse turistët që pamë të premten në restorantin e Krujës nuk kanë ardhur vetëm për të parë kalanë. Ata kanë ardhur në Shqipëri duke besuar se do të jenë të sigurt. Dhe në një Shqipëri që synon të jetë një destinacion i madh turistik, siguria nuk mund të jetë një masë që merret vetëm pasi shfaqen flakët. Kruja u shpëtua nga një situatë e vështirë. Tani duhet të mendojmë si ta mbrojmë që zjarri i radhës të mos na gjejë sërish të papërgatitur.

Lini një Përgjigje