Mungesa e Eli Farës në Festën e Birrës në Drenovë u vu re. Dhe ndoshta nuk mund të ishte ndryshe. Eli Fara nuk është thjesht një këngëtare e njohur e muzikës korçare. Ajo është një prej figurave që e ka përcjellë emrin e Drenovës, Korçës dhe kulturës shqiptare përtej skenës. Një artiste që me zërin, elegancën dhe mënyrën e saj të të bërit art është kthyer prej vitesh në një ikonë të muzikës korçare. Pikërisht për këtë, mungesa e saj në një aktivitet të zhvilluar në vendlindjen e saj ngjalli diskutime. Por reagimi i Eli Farës ishte ndoshta më domethënës se vetë mungesa.
Në një komet ne rrjete sociale ajo sqaroi:«“Organizatorët nuk e kanë parë të arsyeshme, rëndësi ka që këngët e mia janë prezente atje 😊 Artistët pjesëmarrës ishin të shkëlqyer të gjithë! U lumturova që Drenova vendi im i lindjes u bë qendër e aktiviteteve artistike të përmasave!”»
Pak fjalë, por shumë qytetari. Ajo, uroi aktivitetin, vlerësoi kolegët dhe u shpreh e lumtur që Drenova, vendi ku ka lindur, ishte kthyer në qendër të një aktiviteti të madh artistik. Dhe pikërisht këtu qëndron edhe pesha e figurës së saj. Eli Fara është një nga ato emra që nuk kanë nevojë për një skenë për të qenë të pranishëm. Këngët e saj, siç e tha edhe vetë, ishin aty. Ishte aty edhe historia e saj, lidhja e saj me Drenovën dhe kontributi i saj në kulturën muzikore korçare. Drenova i ka dhënë Eli Farën muzikës shqiptare, por Eli Fara i ka dhënë Drenovës një emër që është dëgjuar në të gjithë Shqipërinë. Me thjeshtësinë dhe elegancën që e kanë karakterizuar gjithmonë, ajo zgjodhi të mos e rëndojë një moment feste me polemika, por zgjodhi të shohë atë që bashkon: Drenovën, muzikën dhe traditen kulturore.
Ndoshta pikërisht kjo është arsyeja pse një artiste mund të bëhet më shumë se një këngëtare.
Mund të bëhet ikonë e një vendi. Dhe për Drenovën, Korçën e mbarë Shqipërinë, Eli Fara është një prej atyre emrave që koha nuk i fshin. Përkundrazi, i kthen në nje prani të gjallë edhe kur ndodhen larg.

Lini një Përgjigje