Kur algoritmi bëhet opozitë: Diella përballë Ramës

Algoritmi që rrëzoi qetësinë: kur Diella nuk korruptohet, por ndez dritën

Në Shqipërinë e Rama 4 ndodhi ajo që ndoshta as vetë kryeministri nuk e kishte parashikuar: ministrja më e pastër nga të gjitha nuk mund të korruptohej. Diella, nuk merr tender, nuk ka kushëri në biznes, nuk ka kompani. Nuk ka llogari bankare. Nuk ka vilë në bregdet. Por ka një problem shumë më të madh. Diella mund të lexojë. Dhe kur një makinë fillon të lexojë të dhënat, dokumentet, kontratat, deklaratat dhe gjithçka që i hidhet përpara, mund të ndodhë një mrekulli shqiptare: e vërteta mund të dalë nga kompjuteri pa kaluar më parë nga zyra e propagandës. Këtu fillon ironia e Diellës. Qeveria mund të ketë menduar se po sillte në kabinet një ministre që nuk korruptohet. Por askush nuk pyeti çfarë ndodh nëse ajo nuk korruptohet as nga politika. Çfarë ndodh nëse algoritmi nuk di të bëjë kompromis? Çfarë ndodh nëse ai nuk di të thotë: “Këtë informacion mos e nxirr”?Çfarë ndodh nëse nuk kupton se në Shqipëri disa të vërteta duhet të presin, të zbuten, të riformulohen dhe, në raste të veçanta, të harrohen? Atëherë ndodh diçka edhe më interesante. Njerëzit fillojnë të shohin. Dhe kur njerëzit shohin shumë, fillojnë të pyesin. Kur pyesin shumë, fillojnë të krahasojnë. Kur krahasojnë, fillojnë të kuptojnë. Dhe kur kuptojnë, dalin në rrugë. Kështu, sipas këtij skenari absurd, protestën nuk e thirri opozita. E thirri algoritmi. Nuk kishte pankarta të printuara nga selitë politike. Kishte të dhëna. Nuk kishte mitingje të organizuara nga partitë. Kishte informacion. Nuk kishte “armiq të qeverisë” që u tregonin njerëzve çfarë të mendonin. Kishte një makinë që thjesht u tregonte çfarë kishte gjetur. Dhe kjo është pjesa më qesharake.Sepse me një njeri mund të negociosh. Me një militant mund të debatosh. Me një gazetar mund të zihesh. Me një opozitar mund të thuash se është politik. Por me algoritmin?

Me algoritmin nuk bëhet debat politik.

Ai nuk ka mandat deputeti. Nuk ka kryetar partie. Nuk kandidon në zgjedhje. Dhe, mbi të gjitha, nuk ka nevojë të duartrokasë askënd. Nëse e vërteta është e bukur, e nxjerr. Nëse është e shëmtuar, e nxjerr. Nëse favorizon qeverinë, e nxjerr. Nëse e fundos qeverinë, prapë e nxjerr. Sepse algoritmi nuk ka nevojë për vota. Dhe kështu Rama mund të gjendet përballë paradoksit më të madh të pushtetit modern.

Ministrja Diella, që nuk u korruptua, mund të jetë ministrja që nuk lejoi as të vërtetën të korruptohej.

Nëse kjo është ajo që po ndodh, atëherë protestat nuk janë thjesht një revoltë politike. Janë një efekt anësor i transparencës. Dhe kjo do të ishte vërtet ironike. Sepse pasi u shpikën kaq shumë mënyra për t’u treguar shqiptarëve çfarë të mendojnë, mund të ketë ardhur koha që një algoritëm t’u tregojë shqiptarëve çfarë të shohin. Pastaj pjesën tjetër e bëjnë vetë. Ngrenë kokën.Hapin telefonin. Lexojnë. Kuptojnë. Dhe dalin në protestë. Pra, kush i nxori njerëzit në rrugë? Opozita?Jo domosdoshmërisht. Shoqëria civile?Ndoshta. Pakënaqësia? Sigurisht. Por sipas ironisë së madhe të Rama 4, përgjigjja mund të jetë shumë më moderne: Diella ndezi dritën. Algoritmi tregoi çfarë kishte në errësirë. Dhe njerëzit dolën vetë nga shtëpitë.

Por disa pyetje te vijnë në mendje: A do jetë Diella përsëri në Shtator? A do ketë ministri të tjera të përfaqësuar me motra dhe vëllezër të Diellës? A do ketë drejtorë, nipër dhe mbesa të Diellës? Sa komod ndihet kryeminsitri me “Sistemin Diella” dhe algoritmin, një vit pas formimit të “Rama 4”?


Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *