Ka një pyetje që politika shqiptare ndoshta nuk dëshiron ta dëgjojë:
- Po sikur Erion Veliaj të rikthehet në garë për Bashkinë e Tiranës?
- Po sikur, pas gjithë kësaj historie, ai të dalë sërish përpara qytetarëve dhe t’u thotë:“Më gjykoni ju”?
Do të ishte një skenar që do ta shqetësonte jo pak establishmentin politik. Sepse një gjë është drejtësia dhe krejt tjetër është dënimi politik përpara se drejtësia të ketë dhënë fjalën e fundit.
Veliaj mund të akuzohet, mund të hetohet dhe të përballet me gjykatën. Dhe nëse ka prova për fajësinë e tij, le të përgjigjet para ligjit. Por një akuzë nuk është ende një verdikt. Dhe këtu nis pyetja më e madhe:
Kush ka të drejtë t’ia mbyllë një politikani derën e zgjedhjeve — gjykata apo votuesit?
Nëse ligji ia lejon kandidimin, pse duhet të trembemi nga vota? Mandatin ja ndërprenë padrejtësisht, le ti jepet mundësia per kandidim.
- Le të dalë në fushatë.
- Le të përballet me qytetarët.
- Le të shpjegojë gjithçka.
- Le të mbrojë veten.
Dhe pastaj le të ndodhë ajo që politika shqiptare shpesh e harron: Të flasë vota.
- Nëse Tirana mendon se Veliaj ka dështuar, le ta rrëzojë me votë.
- Nëse mendon se është bërë padrejtësi ndaj tij, le ta rikthejë me votë.
- Nëse nuk e do më, le t’ia mbyllë vetë derën.
Por le të mos krijojmë një precedent të rrezikshëm ku një politikan mund të nxirret nga gara në sytë e publikut shumë përpara se të ketë një vendim përfundimtar.
Sepse demokracia ka një rregull të thjeshtë: Politikanët mund t’i ndalojë drejtësia kur ka bazë ligjore. Por pushtetin politik duhet t’ua japë ose t’ua marrë qytetari. Prandaj, po:
Nga qelia në fushatë? Pse jo.Jo si shpërblim. Jo si amnisti apo favor.Por si një tjetër provë për demokracinë shqiptare. Sepse ndoshta këtë herë nuk duhet të pyesim vetëm nëse Veliaj e meriton një tjetër shans.
Duhet të pyesim: A ua besojmë ende qytetarëve të Tiranës të vendosin vetë?


Lini një Përgjigje