Nëse sekretet e shtetit shkuan te krimi, a u rrezikua edhe jeta e kryeministrit?

Nga: Matilda Kurti

Ka një moment në historinë e fundit të sigurisë shqiptare që meriton shumë më tepër vëmendje sesa një deklaratë politike apo një përplasje me një gazetare. Më 24 shtator 2026, ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, u paraqit para institucioneve të drejtësisë në një kohë kur ndaj saj kishte akuza për zbulim të akteve ose të dhënave sekrete dhe përkrahje të autorit të krimit.

Nëse informacionet sekrete të shtetit kanë përfunduar te grupet kriminale, siç pretendohet në kuadër të hetimit nga SPAK, pyetja më e rëndë nuk është vetëm kush i nxori, por kë rrezikuan? Sepse pas çdo informacioni të SHISH-it mund të ketë një polic, një hetues, një zyrtar, një punonjës administrate, një burim njerëzor apo një person të infiltruar që besonte se po i shërbente shtetit.

Nëse identiteti, lëvizjet apo aktiviteti i tyre janë zbuluar, ata mund të kenë vazhduar detyrën pa e ditur se pala tjetër i njihte dhe i rrezikont.

Dhe nëse informacioni ka prekur nivelet më të larta të sigurisë, pyetja shkon deri te vetë kryeministri: a mund të jetë rrezikuar edhe jeta e tij?

Vlora Hyseni po hetohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”. Këto janë akuza që duhet të provohen nga drejtësia. Por nëse provohet se informacioni shtetëror ka kaluar te njerëz të lidhur me krimin, pasojat nuk maten vetëm me përgjegjësinë e një personi që nxori sekretin, pasojat shkojnë më tej. Kë rrrezikoi?

Pasojat maten me numrin e njerëzve që mund të jenë ekspozuar. Policia. Hetuesit. Administrata. Burimet. Të infiltruarit. Ministrat. Drejtuesit e institucioneve. Dhe pikërisht këtu merr një tjetër peshë edhe deklarata publike e Hysenit ndaj gazetares Klodiana Lala.

Nëse krimi dinte atë që dinte shteti, a mund të kishte ditur edhe mjaftueshëm për të rrezikuar njerëzit që i shërbenin shtetit —nga nënpunësi më I thjeshtë deri te kryeministri?

Në një kohë kur përballej me akuzat për zbulim të të dhënave sekrete, ajo iu drejtua Lalës: “Klodi, si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner?” Nëse ky ishte informacion real, si mund të bëhet kaq lehtë publik?

Nëse ishte një kundërakuzë, pse një ish-kreu i shërbimit inteligjent përdori publikisht një pretendim që prek drejtpërdrejt sigurinë kombëtare?

Dhe pyetja që duhet bërë është edhe më e drejtpërdrejtë: A e rrezikoi kjo deklaratë sigurinë apo jetën e gazetares?

Sepse kur një ish-drejtuese e inteligjencës nxjerr publikisht një pretendim të tillë, nuk kemi të bëjmë thjesht me një debat mes dy personash. Kemi të bëjmë me informacionin që një ish-kreu i shërbimit ka pasur në dispozicion dhe mënyrën se si ai informacion përdoret, jo vetëm shantazhon, por rrezikon jetën e personit, dhe sigurinë e vëndit.

Nëse gjatë ushtrimit të detyrës informacione të tilla kanë dalë nga kanalet shtetërore, pyetja bëhet alarmante: Sa njerëz të tjerë mund të jenë ekspozuar?

  • Një polic mund të ketë ndjekur një grup kriminal pa e ditur se ishte zbuluar.
  • Një hetues mund të ketë zhvilluar një operacion që pala tjetër e dinte.
  • Një burim mund të ketë vazhduar të bashkëpunojë me shtetin duke besuar se ishte i mbrojtur.
  • Një zyrtar mund të ketë marrë vendime pa e ditur se informacioni mbi të kishte dalë jashtë sistemit.

Dhe nëse informacioni ka arritur deri te siguria e drejtuesve të vendit, atëherë rreziku potencial nuk është më vetëm institucional. Është fizik. Nuk ka prova publike që tregojnë se jeta e kryeministrit është rrezikuar.

Por nëse krimi ka pasur akses në informacionin që duhej të ishte sekret, pyetja nuk mund të shmanget:

A mund të ketë qenë i rrezikuar edhe kryeministri i vendit?

Kjo është ajo që duhet të zbardhë hetimi. Jo vetëm kush e nxori sekretin. Por çfarë doli, kujt iu dha, çfarë mësoi pala tjetër dhe kë vuri në rrezik. Sepse një sekret i komprometuar nuk mbetet në një dosje. Ai mund të kthehet në rrezik për një njeri.

Nëse krimi dinte atë që dinte shteti, a mund të kishte ditur edhe mjaftueshëm për të rrezikuar njerëzit që i shërbenin shtetit — deri te kryeministri?


Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *