Matilda Kurti
Kur një shoqëri harron të respektojë
Është e trishtë të shohësh se si një nga divat e muzikës shqiptare u la në flakët e zjarrit, të ndezur ditëve të fundit nga zhurma e skandaleve që po prodhohen çdo ditë, si ushqim që errëson panoramën e një vëndi.
Eli Fara. Një zë, një elegancë dhe një përfaqësim skenik dhe muzikor I dashur, që për dekada me radhë i dha jetë skenës shqiptare. Një artiste që e ndërtoi profilin e saj, mbi talentin, punën dhe dinjitetin, pa u marrë kurrë me jetën e askujt. Por pas asaj buzëqeshjeje, që ajo, nuk kurseu për askënd, qëndron një jetë të mbushur me dhimbje.
Në fillimet e karrierës, vetëm pak ditë pas humbjes tragjike të vëllait, iu desh të ngjitej në skenë e detyruar dhe të këndonte këngë për Enver Hoxhën.
Jeta nuk i dha kohë të qante vëllain e humbur. Më pas, pa lindur ende vajza e saj, gjend papritur përballë arrestit të bashkëshortit të saj. Por ajo su dorëzua. U ngrit përsëri, buzëqeshi dhe vazhdoi këngën përkrah përkushtimit për të rritur e vetme jetën e saj.
Por dhimbjen nuk e shndërroi kurrë në spektakël. Përkundrazi. Publikut i dha muzikë, buzëqeshje dhe elegancë. Privatësinë e mbajti për vete.
Dhe pikërisht këtu duhet të ndalemi. Kur një njeri është në një moment të vështirë, a kemi vërtet nevojë ta bëjmë atë spektakël? Sot gjithçka fotografohet, publikohet, komentohet. Dhimbja e tjetrit është kthyer në spektatël dhe ego e shfrenuar. Privatësia po trajtohet sikur të mos ketë më vlerë njeriu.
Por jo çdo gjë që mund të publikohet, duhet publikuar. Jo çdo moment duhet kthyer në lajm. Dhe jo çdo fatkeqësi ka nevojë për gjykimin e turmës.
Ndoshta duhet të mësojmë të heshtim. Të mos shpërndajmë. Të mos ushqejmë spektaklin. Të solidarizohemi. Sepse pyetja nuk është vetëm çfarë po i bëjmë Eli Farës. Pyetja është çfarë po i bëjmë vetes si shoqëri.
A jemi kthyer në një publik që kërkon vetëm skandale, zili, përçarje dhe poshtërim? A kemi harruar të njohim vlerën kur e kemi përballë? Ne jemi njerëz përpara se të jemi spektatorë. Jemi një komb me plagë, por edhe me njerëz që kanë lënë gjurmë të vërteta në kulturën tonë. Dhe në vend që të promovojmë çdo ditë të keqen, duhet të dimë të mbrojmë atë që ka vlerë.
- Pyetja është: çfarë po i bëjmë vetes?
- A jemi bërë një shoqëri që ushqehet vetëm me skandale, zili, urrejtje, korrupsion, vjedhje dhe poshtërim?
- A kemi harruar të dallojmë një vlerë të vërtetë nga një moment i dobët?
- A kemi harruar se pas çdo fotografie është një njeri?
- Pas çdo titulli është një familje?
- Pas çdo pamjeje është një jetë?
- Ne jemi njerëz përpara se të jemi spektatorë.
Eli Fara nuk ka nevojë për mëshirën tonë. Ka nevojë për respektin tonë. Dhe respekti, ndonjëherë, është shumë i thjeshtë: Të mos e kthesh dhimbjen e tjetrit në argëtimin tënd.
Sepse një shoqëri nuk tregohet vetëm nga mënyra se si duartroket dikë kur shkëlqen. Tregohet nga mënyra se si sillet kur ai njeri është i pambrojtur.

Lini një Përgjigje