MATILDA KURTI
Një protestë nuk nis gjithmonë aty ku njerëzit dalin në rrugë. Shpesh ajo nis shumë më herët, në heshtjen e atyre që nuk besojnë më, në zhgënjimin e atyre që pritën ndryshimin dhe në zemërimin e atyre që ndihen të braktisur nga drejtësia.
Studentët mund të jenë fytyra e revoltës, por ajo që i nxjerr njerëzit në shesh është shumë më e madhe se një kauzë e vetme. Është një shoqëri që për vite ka grumbulluar pakënaqësi dhe që, në një moment, mund të mos pranojë më të heshtë. Fytyra janë studentët. Fasada janë studentët. Por pas fasadës fshihen plagët e një shoqërie të tërë.
Pas tyre qëndron zemërimi i akumuluar nga padrejtësia, nga korrupsioni, nga pandëshkueshmëria dhe nga ndjenja se ligji nuk vepron njësoj për të gjithë.
Është zemërimi i atyre që kanë parë kriminelin të ecë i lirë në rrugë, ndërsa qytetari i ndershëm ndihet gjithnjë e më i pambrojtur. Është zemërimi i atyre që kanë parë njerëz pa meritë të ngrihen në poste, ndërsa intelektualët, profesionistët dhe njerëzit e aftë janë lënë në harresë.
Kur një shoqëri dëgjon për vite të tëra premtime dhe përballet çdo ditë me një realitet tjetër, zhgënjimi kthehet në revoltë. Ata që besuan, ata që votuan, ata që shpresuan për ndryshim, ndihen të përdorur dhe të tradhtuar. Pushteti u kërkoi mbështetje, por nuk u dha përgjigjet që prisnin.
Ndoshta shumë prej nesh jemi vetëm spektatorë. E shohim këtë realitet me dhimbje, por shpesh zgjedhim të mos pranojmë atë që kemi përpara syve.
Megjithatë, ekziston një ligj i pashkruar i jetës: kur padrejtësia grumbullohet për shumë kohë, zemërimi shpërthen. Ashtu si një kazan që vlon pa pushim, në një moment ai derdhet dhe djeg gjithçka përpara, të fajshëm e të pafajshëm.
Në këtë shpërthim mund të përfshihen edhe njerëz që nuk kanë lidhje me shkakun fillestar. Por revolta nuk lind brenda një dite. Ajo është rezultati i viteve të tëra heshtjeje, shpërfilljeje dhe arrogancë ndaj atyre që kërkojnë vetëm dinjitet, drejtësi dhe mundësi të barabarta.
Ky ka qenë një vit në të cilin ky popull ka dëgjuar shumë gjëra që dikur do të dukeshin të pabesueshme. Dhe kur e pabesueshmja bëhet e zakonshme, atëherë shoqëria fillon të kërkojë përgjigje me zërin e saj më të fortë. Sepse historia ka treguar se asnjë pushtet nuk është më i fortë se durimi i një populli kur ai durim mbaron.


Lini një Përgjigje