MATILDA KURTI – ARGUMENTI NEWS
Dhuna verbale nuk është protestë – as kur shënjestra është kundërshtari politik
Iris Luarasi ditët e fundit duke shkuar në punën e vet, u sulmua publikisht me fyerje dhe poshtërime verbale nga disa vajza në emër të protestës. Dhe këtu duhet të ndalemi.
Jo për të diskutuar nëse është deputete e mazhorancës apo për cilën parti përfaqëson. Jo për të gjykuar qëndrimet e saj politike. Por për të thënë diçka shumë më themelore: Ajo përfaqëson, një grua, një nënë, një bashkëshorte, një motër. Askush nuk ka të drjetë të poshtërojë një grua publikisht dhe asnjë protestë nuk ka të drejtë të shndërrohet në dhunë ndaj individit.
Protesta është e drejtë. Revolta është e drejtë. Po kêshtu edhe kritika është e drejtë. Edhe zemërimi ndaj pushtetit është i ligjshëm.
Por fyerja, ndjekja, intimidimi dhe poshtërimi i një gruaje nuk janë protestë. Janë dhunë verbale dhe psikologjike. Janë fyerje e dinjitetit që pêrfaqëson emblemën familjare të cilitdo, kur bëhet fjalê për dhunimin e një gruaje që ecën e vetme në rrugën e saj dhe ndeshet me agresorë që në rastin konkret janë po ato femra.
Dhe kur dhuna justifikohet me kauzën, sepse kauza fillon të humbasë kuptimin, dhe revolta humbet dinjitetin
Mund të mos pajtohemi me Iris Luarasin. Mund të kritikojmë votën e saj, partinë e saj, qëndrimet e saj apo çdo vendim politik që ajo merr si deputete. Por kundërshtari politik nuk është objekt për t’u poshtëruar.
Demokracia nuk matet vetëm me të drejtën për të bërtitur. Matet edhe me mënyrën se si sillemi me atë që nuk mendojnë si ne.
Nëse një grua që ka folur për të drejtat e grave bëhet vetë objekt i një sulmi poshtërues në rrugë, atëherë shoqëria duhet të reagojë. Jo me heshtje. Jo me diskutime dhe justifikimin, se meqënëse është socialiste e meriton ta injorojmë, ta fyejm ta poshtërojmë. Jo, këtu shoqëria dështoi. Sepse sot ishte Irisi, nesër mund të jetë një grua tjetër. Një gazetare. Një aktiviste. Një deputete e opozitës. Një qytetare e zakonshme.
Është e lehtë të bërtasësh. Është e lehtë të fyesh. Është shumë më e vështirë të argumentosh, të përballesh me pushtetin dhe të fitosh një debat me fakte.
Prandaj, një shoqëri civile e fortë nuk ka nevojë për poshtërime. Ka nevojë për zë. Ka nevojë për argument. Ka nevojë për guxim. Ka nevojë për protesta që tronditin pushtetin, jo për turma që poshtërojnë individin.
Nëse protestuesi e humbet kontrollin dhe kalon nga kritika në dhunë verbale, atëherë nuk po lufton më për një shoqëri më të drejtë. Po riprodhon pikërisht atë kulturë dhune që pretendon se po kundërshton. Mos ta masim dhunën me ngjyrën politike
Këtu është prova e vërtetë e shoqërisë sonë. A do ta dënojmë dhunën vetëm kur viktima është “e jona”?
A do ta quajmë skandal kur sulmohet një grua e opozitës, por “revoltë popullore” kur sulmohet një grua e mazhorancës?
Nëse përgjigjja është po, atëherë nuk po luftojmë për drejtësi. Po luftojmë vetëm për kampin tonë. Dhe kjo është një nga sëmundjet më të rënda të politikës shqiptare. Solidariteti nuk duhet të ketë parti.
Iris Luarasi mund të jetë deputete e Partisë Socialiste. Mund të jetë akademike, aktiviste për të drejtat e grave dhe ish-presidente e GREVIO-s pranë Këshillit të Europës.
Por mbi të gjitha, në këtë rast, ajo është një grua që nuk duhet të poshtërohet publikisht.
Kritikojeni politikisht. Kundërshtojeni. Përballeni me të. Kërkojini llogari.
Por mos e dhunoni. Dhuna verbale nuk është guxim. Fyerja nuk është aktivizëm.
Poshtërimi nuk është protestë. Dhe urrejtja nuk është kauzë. Nëse duam një shoqëri më të drejtë, duhet të fillojmë pikërisht këtu: të mësojmë të kundërshtojmë pa dhunuar dhe të protestojmë pa poshtëruar.

Lini një Përgjigje