Pogradeci bëhet muza e Ramës: 24–25 gusht, qeveria skicon vizionin e ri

Matilda Kurti | Argumenti News

Pogradeci. Atje ku arti ka lënë gjurmët e tij. Ku muza duket sikur është krijuar nga vetë natyra dhe ku legjendat e lashta kanë lënë pas historitë e tyre.

Pikërisht aty, në Pogradec, Kryeministri Edi Rama zgjedh të mbledhë qeverinë më 24–25 gusht. Nuk është thjesht një zgjedhje vendi.

Pogradeci, qyteti i liqenit dhe i kulturës, me rrënjë të hershme ilire, është një hapësirë ku historia, arti dhe natyra janë ndërthurur ndër shekuj. Dhe për një Kryeministër që e njeh mirë gjuhën e artit, zgjedhja e një vendi të tillë mund të shihet edhe si një zgjedhje simbolike: një burim frymëzimi për një kapitull të ri qeverisës.

Më 24–25 gusht, qeveria mblidhet në Pogradec për të diskutuar energjinë e re, prioritetet e reja dhe vizionin e vazhdimit të punës së saj.

Edi Rama di të përzgjedhë. Di të zgjedhë njerëzit, vendet dhe momentet që i përshtaten një ideje më të madhe. Dhe ashtu si një artist që përpara se të nisë një tablo mendon kompozimin, ngjyrat dhe vijat që do të ndërtojnë veprën, edhe një Kryeministër që kërkon të projektojë një fazë të re të qeverisjes duhet të dijë se cilat janë shtyllat mbi të cilat do ta ndërtojë atë. Pogradeci mund të jetë pikërisht sfondi i kësaj skice të re.

Një qytet ku natyra të imponon qetësinë, historia të kujton rrënjët dhe arti të fton të mendosh për atë që ende nuk është krijuar.

Dhe këtu qëndron edhe simbolika e zgjedhjes. Nga një qytet ku kanë lindur frymëzime artistike, Rama kërkon të projektojë një tjetër etapë të qeverisjes së tij. Një etapë që kërkon energji, ide, njerëz dhe përgjegjësi të reja, sepse një vizion i ri nuk ndërtohet vetëm me fjalë. Ndërtohet me njerëz. Dhe Pogradeci ka njerëzit e tij. Ka profesionistë, ka të rinj të përgatitur, ka figura që mund të mbajnë përgjegjësi përtej kufijve të qytetit. Prandaj, nëse kjo mbledhje është edhe një moment për të skicuar vazhdimësinë e qeverisjes, do ishte brilante që kjo skicë të ketë edhe një ngjyrë pogradecare?

Bledi Como është një prej emrave që mund të meritojë të jetë pjesë e këtij diskutimi. Jo thjesht si një Pogradecar, por si një profesionist që mund të vlerësohet për një përgjegjësi më të madhe, pse jo edhe në një prej ministrive të qeverisë.

Në fund të fundit, një qytet që Kryeministri e zgjedh për të mbledhur qeverinë, meriton të jetë pjesë e pikturës ku aktortët do ndërveprojnë, krahas vendit muzë si sfond i një mbledhjeje.

Pogradeci mund të jetë edhe pjesë e skicës së re që Edi Rama po përgatit për vazhdimësinë e qeverisjes së tij. Dhe ndoshta kjo është pyetja që lind natyrshëm buzë liqenit: Nëse Pogradeci është zgjedhur si muza e një kapitulli të ri, a nuk do ishte mirë të ketë edhe një Pogradecar që ka treguar vlerat edpjesë të kësaj tabloje?

Rama thërret mbledhjen e qeverisë në Pogradec.

24-25 gusht


Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *