Matilda Kurti| ARGUMENTI NEWS
Ngjarja ndodhi në Vuno, ku Edi Rama ndodhej me familjen e tij, në një moment pushimi, kur Arjan Konomi iu afrua tavolinës ku kryeministri ishte ulur me bashkëshorten dhe djalin e mitur. Sipas videos së publikuar më pas nga Rama, përballja u tensionua dhe Konomi e ktheu një moment privat familjar në debat. Kjo është pika që nuk duhet humbur: nuk ishte kryeministri që shkoi të kërkonte përballjen me Konomin, por Konomi që hyri në hapësirën ku Rama po qëndronte privatisht me familjen.
Një njeri mund të jetë kryeministër kur ushtron detyrën, por kur ulet me familjen për të pushuar, mbetet bashkëshort, baba dhe kryefamiljar. Edhe posti më i lartë publik nuk ta heq të drejtën për një hapësirë private.
Prandaj pyetja me të drejtë lind. Po të ishte në atë tavolinë një qytetar i zakonshëm me gruan dhe fëmijën e tij, a do ta konsideronim normale që një i panjohur t’i afrohej pa dëshirën e tyre dhe ta kthente pushimin familjar në përplasje?
Nëse përgjigjja është jo, atëherë standardi duhet të jetë i njëjtë edhe për kryeministrin kur ndodhet në hapësirën e tij të privatësisë, të kohës së lirë me familjen.
Në këtë rast, ajo që bie në sy është pikërisht toleranca e treguar nga kryeministri përballë një situate që i cenonte drejtpërdrejt qetësinë e tij familjare. Përballë tij nuk ishte thjesht një kundërshtar politik apo një person që kërkonte të shprehte një mendim. Ishte dikush që iu afrua në tavolinën ku ai po qëndronte me familjen dhe, sipas pamjeve dhe rrethanave të bëra publike, komunikimi mori karakter përplasjeje.
Në një situatë të tillë, çdo burrë do ta ndiente instinktivisht nevojën për të mbrojtur hapësirën e vet, sidomos kur në tavolinë ndodhen bashkëshortja dhe fëmija i tij. Por kryeministri nuk reagojë si individ, ai u distancua. Statusi që mban e detyron të vendosë një filtër mbi reagimin personal. Ajo që mund të ishte reagimi spontan i një bashkëshorti, babai apo kryefamiljari, duhet të përmbahet nga pesha e funksionit që përfaqëson. Kjo është ndoshta pjesa më e vështirë për t’u kuptuar nga publiku: pushteti institucional mund ta detyrojë një njeri të frenojë forcën e reagimit personal pikërisht në momentin kur dikush i hyn në hapësirën më intime të jetës së tij.
Dhe këtu hyn edhe një dimension tjetër: tradita shqiptare.
Ne jemi një shoqëri ku familja ka qenë historikisht një nga shtyllat më të forta të jetës shoqërore. Respekti ndaj familjes, nderi dhe hapësira e saj kanë pasur një peshë të veçantë në kulturën shqiptare. Kanuni, pavarësisht se nuk mund dhe nuk duhet të përdoret sot si justifikim për konflikt apo dhunë, na kujton një botëkuptim ku nderi, familja, shtëpia dhe mikpritja nuk ishin koncepte të parëndësishme por ato konsideroheshin të paprekshëm.
Pikërisht, Kreu I qeverisë, duhej të përballonte situatën jo vetëm si Edi Rama, por edhe si kryeministër. Dhe kjo do të thotë se, përpara se të reagonte si burrë, bashkëshort apo kryefamiljar ndaj një ndërhyrjeje në hapësirën e tij familjare, duhej të përmbante brenda vetes reagimin që ndoshta do të kishte pasur çdo njeri tjetër.
Dhe pyetja lind logjikisht. A kemi humbur aq shumë ndjeshmërinë ndaj kufijve të tjetrit, saqë edhe tavolina e një familjeje gjatë pushimeve është kthyer në një skenë ku kushdo mund të hyjë, të provokojë dhe të kërkojë përballje?
Në traditën shqiptare, përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje do të ishte shumë më e qartë: familja respektohet. Hapësira e saj respektohet. Dhe konflikti nuk kërkohet aty ku një familje ka zgjedhur të jetë thjesht familje.


Lini një Përgjigje