Zelensky, aleati që kërkon solidaritet por nuk njeh Kosovën: Pabesia e një miqësie me një drejtim

Ka një moment kur diplomacia pushon së qeni diplomaci dhe fillon të ngjajë me pabesi. Volodymyr Zelensky ka të drejtë të kërkojë solidaritetin e botës për Ukrainën. Ka të drejtë të kërkojë që sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit të tij të respektohen. Ka të drejtë të kërkojë mbështetje përballë agresionit rus. Por nëse këto janë parimet mbi të cilat kërkon mbështetjen e botës, atëherë ku është reciprociteti kur vjen puna te Kosova? Ukraina kërkon që bota të respektojë të drejtën e saj për të ekzistuar si shtet. Ndërkohë, ajo refuzon t’i njohë të njëjtën të drejtë Kosovës. Dhe këtu qëndron kontradikta e madhe e Zelenskyt.

Nuk mund të kërkosh solidaritet për sovranitetin tënd dhe njëkohësisht t’ia mohosh këtë parim një populli tjetër. Sidomos kur ai popull nuk të ka kthyer shpinën. Le të kujtojmë se si Edi Ram, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë mbajtur qëndrimet e tyre:

Edi Rama e priti Zelenskyn në Tiranë, nënshkroi me të Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit dhe e vendosi Shqipërinë qartësisht në krah të Ukrainës.

Albin Kurti e ka mbështetur Ukrainën dhe ka paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun që agresioni rus paraqet për sigurinë e Kosovës dhe Ballkanit.

Vjosa Osmani e ka bërë mbështetjen për Ukrainën një çështje parimore, duke e lidhur luftën e saj me përvojën e Kosovës dhe të drejtën e popujve për të mbrojtur sovranitetin e tyre.

Tre figura shqiptare. Dy shtete. Një mesazh: Ukraina nuk duhet të pushtohet dhe populli ukrainas duhet të mbrohet. Dhe çfarë merr Kosova në këmbim? Një “jo”. Jo vetëm një “jo” të vjetër diplomatik, por një “jo” të përsëritur publikisht pikërisht në Beograd, në Serbi, ku Zelensky zgjodhi të riafirmojë se Ukraina nuk e njeh Kosovën si shtet. Kjo nuk është thjesht çështje protokolli. Është çështje reciprociteti. Sepse miqësia që funksionon vetëm në një drejtim nuk është miqësi. Është interes. Nëse solidariteti shqiptar për Ukrainën është i mirëpritur, ndërsa e drejta e Kosovës për njohje mund të injorohet, atëherë shqiptarët kanë të drejtë të pyesin: Çfarë ishte gjithë ajo miqësi? A ishte solidariteti i shqiptarëve i vlefshëm vetëm kur i duhej Ukrainës? A ishte mbështetja e Ramës, Kurtit dhe Osmanit e mirëpritur vetëm për sa kohë i shërbente Kievit? A jemi ne aq dinjotzë në mardhëniet nderkombëtare, sa bëhem vegël e Zelenskyt? Sepse është e lehtë të kërkosh nga bota të mos të braktisë kur je në luftë. Më e vështirë është të tregosh se e ke kuptuar dhimbjen e një populli tjetër që ka kaluar nëpër luftë. Zelensky kërkon që bota të mos harrojë Ukrainën.

Por me deklaratën e tij për Kosovën, ai rrezikon t’u tregojë shqiptarëve se ka harruar shumë shpejt ata që nuk e harruan Ukrainën. Dhe kjo nuk është diplomaci që shqiptarët duhet ta duartrokasin.

Është një miqësi që kërkoi gjithçka nga njëra anë dhe ofroi një “thikë pas shpine” në kthim.


Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *