Nga: Matilda Kurti
Ambasadori i ri amerikan Eric Wendt sapo ka nisur mandatin në Tiranë dhe takimi i tij i parë me Edi Ramën sjell një mesazh që shkon përtej një fotografie protokollare. Ambasada amerikane e përcaktoi vetë axhendën me tri çështje: mbrojtjen, tregtinë dhe investimet, si dhe luftën kundër krimit të organizuar.
- Tre fusha.
- Tre prioritete.
- Dhe një pyetje: çfarë kërkon Uashingtoni nga Shqipëria në kapitullin e ri të marrëdhënieve dypalëshe?
Wendt nuk është një diplomat që vjen në Tiranë pa një profil të fortë sigurie. Ai ka më shumë se 34 vite shërbim në ushtrinë amerikane dhe ka mbajtur poste të rëndësishme në strukturat e sigurisë dhe operacioneve speciale të NATO-s. Gjatë dëgjesës në Senatin amerikan, ai përmendi ndër të tjera luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, si dhe forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri kibernetike. Prandaj, formulimi i Ambasadës amerikane pas takimit me Ramën meriton vëmendje.“Një partneritet i fortë dallohet nga ajo që dy kombe arrijnë së bashku. ”Nuk është thjesht një frazë diplomatike. Sepse menjëherë pas saj vijnë temat konkrete: mbrojtja, investimet dhe krimi i organizuar.
Dhe këtu duhet pranuar një fakt politik: Edi Rama e ka vendosur marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara në një nga shtyllat kryesore të politikës së tij. Sot, Shqipëria nuk është thjesht një mike e Uashingtonit; ajo është një aleate brenda NATO-s dhe një partnere me një axhendë gjithnjë e më konkrete bashkëpunimi. Ky është një kapital diplomatik që nuk ndërtohet brenda një dite. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe marrëdhënia me SHBA-në ka një dimension të fortë sigurie. Por partneriteti nuk matet vetëm me deklarata politike apo me fotografi me flamujt e dy vendeve. Matet me rezultate konkrete. Sa më shumë bashkëpunim në mbrojtje? Sa më shumë investime amerikane? Sa më shumë goditje ndaj krimit të organizuar? Dhe mbi të gjitha: sa më shumë institucione shqiptare të afta të përballojnë krimin dhe korrupsionin pa ndërhyrje politike?Kjo e fundit nuk është një pyetje e rastësishme.
Në dëgjesën përpara Senatit, Wendt ka deklaruar mbështetjen për SPAK-un dhe ka theksuar rëndësinë e pavarësisë së tij nga ndikimi politik. Kështu, ardhja e Wendt në Tiranë nuk nis thjesht me një “Mirë se erdhe”. Nis me një axhendë. Dhe kjo axhendë ka një gjuhë shumë të qartë: siguri, ekonomi, investime dhe luftë kundër krimit të organizuar.
Për Ramën, ky është edhe një moment për të treguar se partneriteti strategjik që Shqipëria ka ndërtuar me SHBA-në nuk është vetëm një histori diplomacie, por një marrëdhënie që ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë rezultate konkrete për vendin.


Lini një Përgjigje