Rrotullohen karriget, ndërsa militantët presin ende emërimin në opozitë!

MATILDA KURTI

Kryeministri kërkon dorëheqjen e të gjithë drejtorëve dhe administratës. Patjetër, pa punë nuk do të mbeten! Në Shqipëri, kur ndërrohen drejtorët, nuk është se mbarojnë vendet e punës. Thjesht fillon rishpërndarja e karrigeve, rrotullimi i emrave dhe riciklimi i njerëzve, ndërsa militantëve u thuhet edhe një herë: “Durim, se do t’ju vijë radha!”Na thonë se uji që qëndron në vend myshk lëshon dhe se duhet lëvizur për të krijuar potencial.

Dakord! Por në politikën shqiptare duket se uji lëviz vetëm që të ndërrohen ata që pinë prej tij. Burimi mbetet po ai, sistemi po ai, ndërsa ndryshon vetëm lista e përfituesve.

Sigurisht, një qeveri ka programin e saj dhe drejtuesit politikë janë aty për ta zbatuar. Por kur vjen puna te administrata, lindin debatet për ligjin e Nëpunësit Civil, procedurat dhe meritokracinë. Të gjitha këto duhen respektuar.

Megjithatë, pyetja më interesante nuk është kush largohet, por kush do ta zërë vendin e tij?

Me çfarë kontingjenti do të zëvendësohen drejtorët? Me ata që e sollën PS-në në pushtet, bënë fushatë, trokitën derë më derë dhe sot kanë fituar një përvojë të jashtëzakonshme në pritjen e radhës?

Apo me ata që kanë mbetur nga opozita, që nuk arritën të bëhen drejtorë kur ishin të tyret dhe tani mund të kenë një shans të dytë përmes ndonjë riformatimi?

Apo mos vallë do të ketë vende edhe për ata që dolën në shesh, bënë zhurmë, u përfshinë në përplasje dhe tani presin që kontributi i tyre të vlerësohet me një zyrë, një vulë dhe një tabelë te dera?

Se në fund të fundit, në këtë vend, CV-ja më e fortë ndonjëherë nuk është ajo që ke bërë, por ajo që ke bërë për partinë. Përvoja profesionale është e rëndësishme, sigurisht, por njohja me njerëzit e duhur nuk duhet nënvlerësuar!

Dhe të majtët e shkretë? Ata që e sollën partinë në pushtet dhe vazhdojnë të presin prej vitesh? Le të qëndrojnë edhe pak në stol. Ndoshta nuk u ka ardhur radha, ndoshta nuk kanë qenë mjaftueshëm të zhurmshëm, ose ndoshta kanë bërë gabimin fatal të besojnë se kontributi shpërblehet automatikisht.

Në politikë, besnikëria është virtyt, por jo domosdoshmërisht kriter emërimi! Mos u dëshpëroni, të dashur militantë. Ndoshta do t’ju vijë radha kur Berisha të marrë pushtetin. Atëherë mund të hapet një cikël i ri emërimesh, të bëhen rrotacionet e radhës dhe të dëgjohen të njëjtat premtime, vetëm me emra të tjerë.

Deri atëherë, vazhdoni të mbështesni, të prisni dhe të besoni. Se shpresa vdes e fundit, sidomos kur ke kaq vite që pret një telefonatë për një post që, sipas bindjes tënde, e ke fituar që ditën kur fitove partia.

Pra, le të lëvizë uji! Por pyetja mbetet: a po pastrohet sistemi, apo thjesht po ndërrohen njerëzit që kanë privilegjin të ulen në karriget e tij? Sepse, nëse reforma përfundon me të njëjtën logjikë partiake, atëherë nuk kemi të bëjmë me ndryshim sistemi, por me një audicion të ri për të njëjtin teatër politik.


Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *