Reforma territoriale nuk është shkrirje e qyteteve, por riorganizim i shtetit.
NGA: MATILDA KURTI
Deklarata e kryebashkiakut të Maliqit, Gëzim Topçiu, ngre një pyetje të drejtë: çfarë do të ndodhë me shërbimet, investimet dhe kompetencat pas riorganizimit territorial? Por pikërisht këtu duhet të fillojë debati dhe jo të mbarojë.
Reforma territoriale nuk mund të matet me pyetjen nëse Maliqi apo qytetet e tjera që bëhen pjesë e kësaj reforme të ketë apo jo një kryetar bashkie. Ajo duhet të matet me një pyetje shumë më të rëndësishme: a do të jetë qytetari më afër shtetit, apo më larg tij?
Por pikërisht kjo paqartësi nuk duhet të kthehet në argument kundër reformës. Përkundrazi, duhet të na detyrojë ta shohim atë përtej fatit të një posti politik.
Maliqi duhet të ruajë identitetin, funksionet administrative dhe një qendër të fortë lokale shërbimesh.
Korça mund të jetë qendra e një administrimi më të madh, por jo arsyeja që banori i Maliqit të udhëtojë më larg për një dokument, një shërbim apo një problem që sot e zgjidh në qytetin e tij. Prandaj, reforma duhet të vijë me një formulë të qartë: bashkim administrativ, por decentralizim funksional.
Të bashkohen strukturat aty ku ka kosto të panevojshme, por të ruhen shërbimet aty ku jetojnë njerëzit. Dhe këtu qëndron vizioni që mungon në debat: të mos pyesim vetëm sa bashki do të ketë Shqipëria, por çfarë bashkish duam të ndërtojmë për 20 vitet e ardhshme.
Një reformë territoriale serioze duhet të sjellë më pak burokraci, më shumë investime, administratë më të aftë, shërbime digjitale dhe mundësi reale zhvillimi për qytetet e vogla.
Maliqi nuk ka nevojë thjesht të mbijetojë si bashki. Ka nevojë të fitojë një rol të ri në një rajon më të madh ekonomik. Kjo është pyetja që duhet t’i përgjigjet reforma. Jo kush do të ulet në karrigen e kryetarit, por çfarë do të fitojë qytetari nga ndryshimi.

Lini një Përgjigje