Një deputete që hyri në Kuvend nën siglën e PS-së vendos të dalë prej saj, por të mbajë mandatin.
Vendimi i Marjana Koçekut nuk është thjesht një largim politik. Është një provë për marrëdhënien mes partisë, mandatit dhe pushtetit personal.
Marjana Koçeku u zgjodh deputete në listën e Partisë Socialiste. Sot ajo largohet nga grupi parlamentar socialist dhe deklarohet deputete e pavarur.
Ajo e ka shpjeguar vendimin përmes dallimeve në ideale dhe vlera. Dhe ky është një qëndrim që duhet respektuar. Por politika ka edhe një pyetje tjetër: Çfarë e bën një deputet të largohet nga partia që i dha mundësinë të hyjë në Parlament, por të mos dorëzojë mandatin që mori nën atë sigël?
Këtu fillon debati i vërtetë. Sepse mandati parlamentar është personal në ushtrimin e tij, por në sistemin shqiptar fitorja elektorale lidhet fort me strukturën politike që e vendos kandidatin në garë.
Këtu lind një pyetje me vetë logjikën e së drjtës. A nuk e lexoi Marjana Koçeku programin e qeverisjes që PS paraqiti për mandatin e katërt, para se të pranonte të futej në listën e sigurt? Pse nuk e bëri këtë zgjedhje një deputet që votat I fitoi vetë nën siglën PS?
Koçeku tani ka zgjedhur një rrugë më të vështirë: të jetë e pavarur. Por kjo zgjedhje ngre edhe një pyetje të fortë:
Sa vlen një mandat politik kur pas tij nuk qëndron më partia që e solli në Kuvend?Dhe mbi të gjitha, çfarë do të ndodhë nëse kjo nuk mbetet një histori e vetme?Sepse largimi i një deputeti nuk e rrëzon mazhorancën.
PS ka ende 82 deputetë në grupin parlamentar. Por një largim mund të jetë një precedent. Nëse nesër ka të tjerë që ndjekin të njëjtën rrugë, atëherë nuk do të kemi më një “rast Koçeku”.
Do të kemi një pyetje shumë më të madhe: A po fillon mandati i katërt i Edi Ramës të prodhojë deputetë që kërkojnë të shkëputen nga kontrolli i partisë?
Dhe kjo pyetje bëhet edhe më interesante kur sheh drejt vitit 2027. Sepse atëherë numrat e Parlamentit mund të marrin një peshë tjetër.
83 mandate janë shumë. Por 84 mund të jenë vendimtare. Pse? Dhe ndoshta pikërisht këtu duhet lexuar jo përgjigjja, por rëndësia e vendimit të Marjana Koçekut.
A është thjesht një deputete që zgjodhi të ecë vetëm, apo një shenjë e parë se brenda mazhorancës mund të ketë nisur një lojë e re? Koha do ta tregojë. Por një gjë është e sigurt:
Në politikë, largimi i një deputeti nuk matet vetëm me karrigen që boshatis në një grup parlamentar. Matet edhe me fuqinë që ai fiton pasi largohet.

Lini një Përgjigje