KUR ANALFABETIZMI I DIJES HEDH BALTË MBI HISTORINË DHE DËSHMORËT

MATILDA KURTI ARGUMENTI NEWS

Për të kundërshtuar një interpretim historik të konsoliduar, nuk mjafton të thuash “kam parë dokumente në Arkiv”. Duhet të tregosh cilat janë dokumentet, çfarë dëshmojnë, si lidhen me burimet e tjera dhe pse përfundimi i ri është më i qëndrueshëm se ai ekzistues.

Për të rishkruar apo rrëzuar një tezë të rëndësishme historike duhet punë ekipesh historianësh, studiuesish dhe shkencëtarësh, jo vetëbesim personal. Hidhen hipoteza, paraqiten faktet, shqyrtohen burimet, kundërshtohen argumentet dhe vetëm pas kësaj mund të ndërtohet një përfundim i ri.

Këtu qëndron edhe dallimi themelor mes dijes dhe padijes. Një njeri mund të ketë një dokument. Mund të ketë një hipotezë. Mund të ketë edhe një qëndrim politik. Por nëse nuk di ta ndërtojë argumentin, nëse nuk di të dallojë faktin nga interpretimi dhe, mbi të gjitha, nëse zëvendëson argumentin me sharje e fyerje, atëherë problemi nuk është më vetëm te përfundimi që pretendon.

Problemi është te mënyra se si kuptohet vetë dija.Të dalësh publikisht dhe t’i quash studiuesit “plehra”, “qelbësira”, “debila”, “injorantë”, “spiunë” apo “fundërrina” nuk është kritikë shkencore. Është thjesht gjuhë denigruese.

Dhe këtu lind pyetja: si mund të pretendojë dikush se po korrigjon historinë, ndërkohë që nuk respekton as rregullat elementare të argumentit historik? Përballë këshillave të larta të profesorëve, historianëve dhe studiuesve që merren prej vitesh me burimet, një individ nuk bëhet automatikisht autoritet vetëm sepse ka hyrë në një arkiv apo sepse ka folur në Parlament. Parlamenti është institucion politik. Nëse fati të nxori gabimisht në parlament nuk të bën të ditur. As të mençur. Nëse do kishe patur më tepër dije intelektuale, ky status FB që e përdor për zhurmë, nuk do ekzistonte sepse do e dije që të injoron para dijes dhe të diturve.

Arkivi është burim dokumentar. Shkenca është metodë. Dhe këto tri gjëra nuk duhen ngatërruar. Nëse ekzistojnë dokumente që ndryshojnë një të vërtetë të pranuar historike, ato duhen nxjerrë në dritë. Por jo në fb. Le të shqyrtohen nga historianët. Le të kundërshtohen ose konfirmohen nga studiues të tjerë. Le të hapet debati shkencor.

Por historia nuk rrëzohet duke sharë historianët dhe as dëshmorët nuk nderohen apo mohohen me një fjalor rrugësh.

Faktet duhen diskutuar me fakte. Hipotezat me argumente. Dokumentet me dokumente. Sepse kur dikush pretendon se po sjell një “të vërtetë historike”, por e shoqëron atë me një lumë fyerjesh, nuk po tregon forcën e faktit. Po tregon, mbi të gjitha, mungesën e kulturës së debatit dhe të dijes shkencore. Dhe kjo është veçanërisht problematike kur balta hidhet mbi një nga temat më të ndjeshme të historisë kombëtare: dhe pikërisht, historisë së dëshmorëve.

Por historia nuk rrëzohet me sharje. Dhe dëshmorët nuk trajtohen me baltë e gjuhë rrugësh. Kur dikush pretendon se po korrigjon historinë, por nuk di të respektojë rregullat elementare të argumentit, problemi nuk është vetëm te teza e tij.

Problemi është se nuk e kupton si funksionon dija.


Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *