KOLE GJOKA NGA BISHNICA: “ÇDO SHQIPTAR NË DIASPORË TË BËJË DIÇKA PËR ATDHEUN!

Nga Matilda Kurti
Në zemër të Mokrës, mes bukurisë së natyrës, traditave dhe mikpritjes që e karakterizon këtë krahinë, Festa e Bishnicës u shndërrua këtë vit në shumë më tepër sesa një aktivitet festiv. Ajo u bë një takim mes njerëzve që besojnë se Shqipëria ndërtohet duke mos harruar rrënjët.
Me ftesë të drejtuesit të Diakonia Albania, Frieder Weinhold, në këtë aktivitet morën pjesë personalitete të jetës publike dhe institucionale, mes tyre nënprefekti i qarkut të Korçës, Luan Maxhari, kryetarja e Këshillit të Bashkisë Pogradec, Manjola Kamolli, si edhe i ftuari i nderit, Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Gjermani, Kole Gjoka, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.
Për Gjokën, vizita në Bishnicë ishte më shumë se një pjesëmarrje në një festë. Ishte një mundësi për të njohur nga afër krahinën e Mokrës, traditat e saj, njerëzit e thjeshtë dhe mikpritjen që mbetet një nga vlerat më të çmuara të shqiptarëve.
Por ishte fjala e tij ajo që preku më shumë të pranishmit.
Duke kujtuar një ngjarje nga e kaluara, ai tregoi:
«”Në Rreshen është një shkollë profesionale. Drejtori i saj është një prift i Kishës Katolike. Një ditë ai më pyeti: ‘Kole, pse përpiqesh ta ndihmosh kaq shumë shkollën tonë?’ Unë iu përgjigja: ‘Kur ju vini nga Italia dhe bëni të pamundurën për të na ndihmuar ne, si mundem unë, një djalë i Mirditës, të mos përpiqem për vendin tim?’”»
Një rrëfim i thjeshtë, por me një mesazh të fuqishëm, që u pasua me një thirrje drejtuar shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit:
«”U bëj thirrje të gjithë diasporës shqiptare t’i kthejë sytë nga Atdheu dhe ta ndihmojë, secili sipas mundësive të veta.”»
Ky ishte momenti më domethënës i festës. Një apel që nuk kishte nevojë për duartrokitje, por për reflektim.
Vetë prania e Kole Gjokës në Bishnicë ishte një dëshmi se lidhja me vendlindjen dhe Shqipërinë, edhe pse prej më shumë se 30 vjet më parë ka emigruar në Gjermani, nuk matet me kilometrat që të ndajnë prej saj, por me dëshirën për të kontribuar për vendin tënd.
Në këtë frymë punon prej më shumë se tre dekadash edhe Diakonia Albania, e cila ka qenë pranë komuniteteve të Mokrës përmes projekteve sociale, mbështetjes për fëmijët, familjet dhe njerëzit në nevojë. Festa e Bishnicës është një nga ato momente kur kjo punë bëhet e dukshme dhe kur komuniteti bashkohet për të festuar jo vetëm traditën, por edhe solidaritetin.
Mes këngëve, valleve dhe atmosferës festive, mbeti një mesazh që i tejkalon kufijtë e kësaj dite: Shqipëria ka nevojë për bijtë dhe bijat e saj, kudo që ndodhen. Dhe, siç e tha Konsulli i Nderit, Kole Gjoka, secili mund të japë diçka për vendin e vet.
Ndoshta pikërisht ky ishte kuptimi më i thellë i Festës së Bishnicës 2026.
“Kthejini sytë nga Atdheu!” – Mesazhi i fortë i Konsullit të Nderit, Kole Gjoka, nga Festa e Bishnicës


Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *