Matilda Kurti
Sot, Kamza më dha një nga surprizat më të bukura. Në një ditë kur priteshin tensione dhe thirrjet për protesta krijonin pritshmëri për rrëmujë e shkatërrim, por ajo që pashë ishte krejt ndryshe. Sot Kamza ishte një qytet që sfidoi pritshmëritë, një qytet që vijonte jetën normalisht, me qytetarë të përqendruar te puna, familja dhe përgjegjësitë e tyre.
U largova për në punë dhe u ktheva me të njëjtën ndjesi: qyteti ishte në punën e vet. Prindërit kishin çuar fëmijët në shkollë, bizneset vijonin aktivitetin dhe njerëzit merreshin me jetën e tyre të përditshme. Ky normalitet, në rrethanat e sotme, ishte dëshmia më e mirë e pjekurisë qytetare.
Për vite e dekada, Kamza është identifikuar padrejtësisht me rrëmujën, konfliktet dhe shkatërrimin. Një imazh që nuk e përfaqëson më realitetin e një qyteti që ka ndryshuar rrënjësisht. Sidomos gjatë viteve të fundit, transformimi i Kamzës është bërë i dukshëm.
Pas këtij ndryshimi qëndrojnë investimet dhe zhvillimi urban, por mbi të gjitha njerëzit që kanë punuar, sakrifikuar dhe ndërtuar jetën e tyre këtu.
Kamza e sotme nuk është më ajo që paragjykimet kërkojnë të paraqesin. Ajo është një qytet që ka shumë për të humbur nga kaosi dhe shumë për të mbrojtur nga shkatërrimi. Popullsia e saj, e formuar nga komunitete të ardhura nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, ka sjellë me vete tradita, vlera dhe një kulturë të fortë pune.
Familja, solidariteti, disiplina dhe dëshira për një jetë më të mirë kanë qenë pjesë e kësaj historie. Me djersën e tyre, këta njerëz kanë ngritur shtëpi, kanë hapur biznese, kanë rritur fëmijët dhe kanë krijuar një qytet që sot është pjesë e rëndësishme e zhvillimit të zonës metropolitane të Tiranës.
Prandaj, ajo që pashë sot nuk duhet parë thjesht si një ditë pa incidente, por si një shenjë pjekurie dhe përgjegjësie qytetare. Pavarësisht thirrjeve dhe paralajmërimeve që mund të krijonin frikë e pasiguri, qytetarët zgjodhën të mos ndërpresin jetën e tyre.
Zgjodhën punën, familjen dhe përgjegjësinë ndaj asaj që kanë ndërtuar. Kjo është një përgjigje e fortë, që nuk ka nevojë për oshtëtima shkatërrimesh. Është përgjigjja e njerëzve që e dinë sa shumë u ka kushtuar të ndërtojnë atë që kanë sot. Në kontrast me pamjet e tensioneve dhe dëmeve të raportuara në Tiranë, ku bizneset, punonjësit dhe qytetarët rrezikojnë të përballen me humbje,
Kamza tregoi se pakënaqësia dhe kundërshtimi nuk duhet të kthehen në shkatërrim. Protesta është një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike, por dhuna dhe dëmtimi i pronës nuk janë e drejtë e askujt.
Asnjë kauzë nuk fiton vlerë duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve. Asnjë lëvizje nuk fiton legjitimitet duke frikësuar njerëzit, duke dëmtuar bizneset apo duke cenuar sigurinë e tyre. Qyteti nuk është skenë ku dikush mund të vijë për të shkatërruar.
Qyteti është shtëpia e mijëra familjeve, puna e përditshme e mijëra njerëzve dhe e ardhmja që ata përpiqen të ndërtojnë. Sot mendova për qytetarin që dëshiron të punojë, për prindin që çon fëmijën në shkollë, për tregtarin që hap dyqanin dhe për punonjësin që përmbush detyrën e tij.
Për të gjitha ato familje që duan të jetojnë me dinjitet dhe të shohin qytetin e tyre të përparojë. Kamza nuk është e përsosur dhe ka ende shumë sfida përpara. Por është e padrejtë të mohohet rruga që ka bërë dhe aq më tepër të vihet në rrezik ajo që qytetarët e saj kanë ndërtuar me mund e sakrifica.
Sot, qytetarët e Kamzës dhanë një mësim të thjeshtë, por të fuqishëm: mund të kesh mendime të ndryshme, mund të mbështesësh kauza të ndryshme, por nuk ke pse të shkatërrosh për të dëshmuar se ekziston.
Kamza zgjodhi punën mbi rrëmujën, maturinë mbi provokimin dhe qytetarinë mbi shkatërrimin. Në fund të ditës, kjo është ajo që ka më shumë rëndësi: një qytet që mbron njerëzit e vet dhe nuk lejon që puna e viteve të vihet në rrezik për hir të kaosit.
Sot, Kamza nuk foli me zhurmën e vetshkatërrimit. Kamza foli me shembullin e qytetarëve të saj. Dhe ky ishte mesazhi më i fortë i ditës.

Lini një Përgjigje