Sot studentët shqiptarë të Mjekësisë protestojnë kundër detyrimit për të shërbyer në Shqipëri. Por sa dinë ata për bashkëmoshatarët e tyre në botë, për sakrificat që bëjnë, kostot që përballojnë dhe vitet që u duhen për të ndërtuar një karrierë mjekësore?
Të shohësh drejt botës nuk do të thotë të mendosh se bota të pret me gjithçka të shtruar. Përkundrazi, në vendet e zhvilluara, formimi për t’u bërë mjek kërkon vite studimi, përkushtim të jashtëzakonshëm dhe, për shumë të rinj, një barrë të rëndë financiare.
Në Shtetet e Bashkuara, sipas Shoqatës Amerikane të Kolegjeve Mjekësore, 71% e të diplomuarve në Mjekësi në vitin 2024 kishin borxhe arsimore. Borxhi mesatar i atyre që kishin borxhe arrinte në 212 341 dollarë. Rruga tipike e stdimit përfshin katër vite universitet para Mjekësisë, katër vite shkollë mjekësore dhe më pas vite të tjera specializimi.
Mendoni për një të ri që kalon më shumë se një dekadë duke studiuar, duke përballuar provime të vështira, praktikë klinike, shpenzime jetese dhe detyrime financiare që mund ta shoqërojnë për vite pas diplomimit.
Ky është realiteti i shumë studentëve amerikanë, jo sepse u mungojnë mundësitë, por sepse edhe në vendet e zhvilluara një profesion i tillë ka kosto dhe kërkon sakrifica.
Edhe në Gjermani, ku universitetet publike përgjithësisht nuk aplikojnë tarifa të zakonshme shkollimi për shumë programe, studenti duhet të përballojë jetesën dhe shpenzimet e tjera, ndërsa formimi mjekësor kërkon përgatitje intensive dhe përgjegjësi të mëdha.
Pra, bota nuk është një përrallë ku diploma të garanton menjëherë mirëqenie, as një vend ku çdo gjë të jepet pa mundim.
Por le të kthehemi në Shqipëri. Ne jemi një vend që ka nevojë për mjekë. Ka spitale, qendra shëndetësore, qytete dhe zona të largëta ku sigurimi i shërbimit mjekësor mbetet sfidë.
Ka qytetarë që presin në radhë, familje që përballen me vështirësi dhe njerëz për të cilët prania e një mjeku pranë nuk është çështje komoditeti, por nevojë jetike.
Në këtë realitet, a është e paarsyeshme që shteti të kërkojë një zgjidhje për të mbrojtur shërbimin shëndetësor publik?
Sigurisht, studenti ka të drejtë të kërkojë kushte më të mira, arsim cilësor, dinjitet dhe mundësi për të ndërtuar të ardhmen e tij. Ka gjithashtu të drejtën të kundërshtojë kushte që i konsideron të padrejta. Por liria për të zgjedhur nuk e përjashton debatin mbi përgjegjësinë që kemi ndaj shoqërisë.
Nëse një student përfiton nga një skemë publike financimi me kushte të qarta, të njohura që në fillim, pse të mos diskutohet një marrëveshje e drejtë që përfshin edhe shërbimin për disa vite në vend, me pagë dinjitoze, kushte të mira pune dhe respekt profesional?
Kjo është krejt ndryshe nga ndryshimi i rregullave pasi studenti ka nisur studimet. Drejtësia kërkon transparencë, proporcionalitet dhe respektimin e të drejtave të studentit. Por kërkon edhe që nevojat e qytetarëve të mos mbeten jashtë diskutimit.
Sepse këtu lind pyetja që duhet t’ia bëjmë vetes: nëse çdo i ri që formohet në Shqipëri e sheh largimin si sukses dhe qëndrimin si sakrificë, kush do të mbetet për të shërbyer këtu?
A duhet ta pranojmë si të pashmangshme që Shqipëria të financojë formimin e profesionistëve, ndërsa qytetarët e saj të përballen me mungesën e tyre? Apo duhet të ndërtojmë një sistem ku mjeku të ketë arsye të qëndrojë, të punojë me dinjitet dhe të zhvillohet profesionalisht?
Kjo nuk zgjidhet duke u kërkuar studentëve të bëhen heronj. Zgjidhet duke krijuar kushte pune, paga konkurruese, mundësi specializimi dhe stimuj konkretë për ata që shërbejnë në zonat ku nevoja është më e madhe.Por as nuk zgjidhet duke e paraqitur çdo kërkesë për përgjegjësi si mohim të lirisë individuale.
Mjekësia nuk është thjesht një diplomë që të hap dyert e botës. Është një profesion që lidhet drejtpërdrejt me jetën e njerëzve. Dhe këtu duhet të ndalemi te një tjetër pyetje: çfarë kuptimi ka të flasim për humanizmin e profesionit të mjekut, nëse nuk jemi të gatshëm të diskutojmë edhe për njerëzit që sot nuk kanë një mjek pranë?
Askush nuk ka të drejtë t’i kërkojë një mjeku të punojë falas apo të heqë dorë nga e ardhmja e tij. Por një shoqëri ka të drejtë të presë që sistemi i saj shëndetësor të mos mbetet pa profesionistë dhe që investimi publik të shoqërohet me politika të arsyeshme e të drejta.
Prandaj, përpara se të kërkojmë vetëm rrugën drejt botës, le të pyesim edhe çfarë duhet të ndryshojmë që Shqipëria të mos jetë një vend ku të rinjtë largohen sepse nuk shohin të ardhme, por një vend ku mund të ndërtojnë një të tillë.Studenti ka të drejtë të zgjedhë të ardhmen e vet. Pacienti ka të drejtë të ketë mjek.
Shteti ka detyrimin të krijojë kushtet që këto dy të drejta të mos vihen në konflikt.Sepse diploma mund të të çojë larg. Por vlera e një profesioni nuk matet vetëm me mundësitë që të hap për veten, por edhe me atë që mund t’u japësh njerëzve.
Dhe nëse mjekësia është mision njerëzor, atëherë pyetja nuk duhet të jetë vetëm se ku mund të fitojmë më shumë, por edhe si mund të ndërtojmë një sistem ku shërbimi ndaj njeriut të ketë dinjitet, vlerë dhe të ardhme.

Lini një Përgjigje