ARGUMENTI NEWS
Për ditë me radhë, publiku shqiptar u ushqye me një histori që dukej më shumë si një serial mediatik sesa si një çështje serioze politike: a iu dha apo nuk iu dha viza amerikane Sali Berishës?
Pastaj erdhën variantet. Po shkon për arsye shëndetësore. Do të shkojë në spital. Është i sëmurë. Nuk mund të bëjë takime. Do të pranohet apo nuk do të pranohet në takime. Do të shkojë direkt nga aeroporti në spital. Dikush garanton. Dikush tjetër kundërshton. Dhe kështu, një udhëtim i një politikani shqiptar drejt Shteteve të Bashkuara u kthye në një debat mbi vizën, spitalin, karrocën, aeroportin dhe thashethemet e rrjeteve sociale.
Por, në gjithë këtë zhurmë, duket se po harrohet fakti kryesor. Sali Berisha udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara.
Dhe ky është fakt politik shumë më i rëndësishëm se të gjitha versionet që qarkullojnë rreth tij.
Dhe ky nuk është një udhëtim i zakonshëm. Mund të përpiqesh ta zvogëlosh në një vizitë mjekësore. Mund të përpiqesh ta paraqesësh si një çështje private. Mund edhe ta mbështjellësh me dhjetra versione, të cilat këto ditë kanë qarkulluar me shpejtësi në media e rrjete sociale. Por asnjë prej tyre nuk e ndryshon peshën politike të personit që ndodhet në avion drejt Amerikës.
Përpara se të merremi me atë se çfarë thanë portalet për vizën, spitalin, sëmundjen, takimet apo mospranimin në takime, duhet të ndalemi te një fakt i vetëm: Sali Berisha udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sali Berisha nuk është thjesht një politikan shqiptar. Ai është kryetari i opozitës së vendit. Ky është pozicioni që e bën udhëtimin të rëndësishëm.
Në një shtet demokratik, kryetari i opozitës është figura politike që qëndron përballë qeverisë dhe përfaqëson alternativën e saj. Pas kryeministrit, është një nga pozicionet më të rëndësishme politike në vend. Prandaj lëvizja e tij drejt Uashingtonit nuk mund të trajtohet si një udhëtim privat pa asnjë dimension politik, pavarësisht arsyes që e ka çuar atje.
Këtu qëndron edhe absurdi i debatit të ditëve të fundit.
Në vend që të flitet për rëndësinë e vizitës së kryetarit të opozitës shqiptare në Shtetet e Bashkuara, publikut i janë servirur histori për mënyren si mori vizën, për spitalin, për mënyrën se si do të udhëtonte nga aeroporti, nëse do të shtrohej, nëse do të pranohej në takime dhe nëse do të mund të takonte njerëz jashtë rrethit mjekësor.
Nëse Berisha ka udhëtuar për arsye shëndetësore, kjo është çështje personale dhe nuk ka asgjë për t’u bëre lajm. Nëse ka zgjedhur një spital amerikan, është vendimi i tij. Nëse ka bërë apo nuk ka bërë takime, kjo është një çështje që mund të verifikohet.
Por të gjithë ata që po përpiqen ta bëjnë udhëtimin e tij vetëm një histori mbi shëndetin, po harrojnë personin politik që ndodhet në Amerikë.
Sepse Berisha nuk shkon në Shtetet e Bashkuara si një turist shqiptar. Ai shkon atje me gjithë peshën e një karriere politike, me historinë e tij të gjatë në marrëdhëniet me Uashingtonin dhe, mbi të gjitha, me statusin aktual të kryetarit të opozitës shqiptare. Kjo e bën vizitën të rëndësishme.
Edhe nëse nuk do të kishte asnjë takim politik, vetë prania e tij në SHBA do të kishte interes për politikën shqiptare. Aq më tepër nëse udhëtimi shoqërohet me kontakte, biseda apo takime me njerëz që kanë rol në politikën amerikane.
Dhe këtu duhet të ndalojë propaganda e të fillojë gazetaria. Sepse nuk është e nevojshme të shpikim takime që nuk i dimë. Por nuk është as serioze të shpallim se ato nuk ekzistojnë vetëm sepse dikush dëshiron që të mos ekzistojnë.
Nëse ka diçka për t’u mësuar nga ky udhëtim, ajo nuk do të jetë nëse Berisha ka përdorur apo jo një karrocë në aeroport. Nuk do të jetë as nëse ka hyrë në një spital dhe sa ka kushtuar trajtimi.
Ajo që ka rëndësi është nëse kryetari i opozitës shqiptare ka pasur apo do të ketë kontakte politike në SHBA, me kë, në çfarë niveli dhe çfarë mesazhi është përcjellë.
Kjo është ajo që duhet të interesojë publikun.
Sepse Amerika nuk është një destinacion i zakonshëm për politikën shqiptare. Për dekada, Uashingtoni ka qenë një pikë referimi për politikën e Tiranës, për qeveritë, opozitat dhe institucionet shqiptare. Marrëdhënia me SHBA-në nuk është dekor politik. Ajo ka qenë dhe mbetet një nga boshtet më të rëndësishme të orientimit të Shqipërisë.
Pikërisht për këtë arsye, udhëtimi i kryetarit të opozitës atje meriton më shumë vëmendje sesa një debat banal mbi vizën. Dhe ndoshta është pikërisht kjo arsyeja pse rreth këtij udhëtimi është krijuar kaq shumë zhurmë.
Sepse një takim në Amerikë mund të mos jetë thjesht një takim. Një derë e hapur mund të mos jetë thjesht një derë e hapur. Një heshtje mund të mos jetë thjesht heshtje. Dhe një udhëtim i kryetarit të opozitës drejt Uashingtonit nuk mund të reduktohet në një histori për një spital.
Berisha udhëtoi drejt Amerikës.
Lajmi është se kryetari i opozitës shqiptare është në Amerikë në një moment kur marrëdhënia e politikës shqiptare me Uashingtonin mbetet një nga çështjet më të rëndësishme të skenës sonë politike.

Lini një Përgjigje