Nga “makineria elektorale” te “prania permanente”. Por kush po dëgjon qytetarin dhe kush po kontrollon deputetin?
MATILDA KURTI | ARGUMENTI NEWS
Edi Rama e ka quajtur “Praninë Besnike” një kthesë të re në mënyrën se si Partia Socialiste duhet të sillet me qytetarin.
Nga 4 shtatori, çdo të premte në orën 17:00, deputetët dhe përfaqësues të mazhorancës duhet të jenë në territor për të dëgjuar qytetarët. Pa kamera, pa spektakël, pa miting. Qytetari vjen, flet, problemi shënohet dhe më pas duhet të ketë një përgjigje. Në pamje të parë, ideja është e thjeshtë dhe madje e vështirë të kundërshtohet: Politikani duhet të jetë aty ku është qytetari.
Por problemi fillon pikërisht kur pyetja kalon nga “çfarë duhet të bëjë deputeti?” te pyetja “pse Rama po e kërkon këtë tani?” Sepse “Prania Besnike” nuk është një nismë e izoluar. Ajo është pjesë e një pakete më të gjerë që Rama po ndërton për mandatin e katërt: “Besa”, “Pasqyrë Albania”, “Radar”, mekanizmat e vlerësimit të deputetëve dhe një riformatim i marrëdhënies mes qeverisë, partisë dhe qytetarit. Vetë PS-ja e ka përshkruar këtë si një reformë të marrëdhënies qytetar–shtet.
Dhe këtu fillon historia e vërtetë.
PS-ja pranon se ka një problem. Në dokumentin “Prania Besnike”, të prezantuar më 30 korrik, Rama përdor një metaforë që thotë shumë më tepër sesa emri i dokumentit.
Ai flet për “makinerinë” e Partisë Socialiste.
Madje pranon se një parti që ka qenë për shumë vite në pushtet rrezikon të humbasë atë që e solli në pushtet: kontaktin me njerëzit.
Rama e formulon vetë problemin në mënyrë dramatike: partitë që kanë fituar gjithçka, në një moment kanë humbur kontaktin me shoqërinë dhe kanë filluar ta dëgjojnë më pak atë.
Pra, PS-ja nuk po ndryshon sepse ka humbur zgjedhjet. Po ndryshon sepse ka fituar shumë gjatë. Dhe kjo është shumë më interesante. Sepse pushteti i gjatë krijon një problem klasik: njerëzit që fitojnë zgjedhjet fillojnë gradualisht të jetojnë brenda sistemit që kanë ndërtuar vetë.
- Deputeti takohet me drejtorin.
- Drejtuesi politik takohet me administratën.
- Partia flet me partinë.
- Struktura takohet me strukturën.
- Dhe qytetari mbetet jashtë.
- “Prania Besnike” është përpjekja e Ramës për ta çarë këtë rreth.
Por ka një pyetje tjetër: A po e çan rrethin apo po ndërton një rreth të ri kontrolli?
Nga patronazhisti te deputeti i matshëm? Kjo është ndoshta pjesa më e rëndësishme e gjithë projektit.
Në dokumentin e 30 korrikut, Rama nuk flet thjesht për takime. Ai flet për disiplinë të re të partisë, për dëgjim të vazhdueshëm dhe për përgjegjësi të matshme.
Dhe më 3 shtator ai e bëri edhe më konkrete. Rama tha se do të duhet të miratohet një modul matjeje të performancës së deputetit me 100 pikë, ku do të përfshihet puna parlamentare, prania në territor, cilësia e dëgjimit dhe përgjigjes, puna me strukturat dhe vlerësimi nga njerëzit.
Këtu “Prania Besnike” merr një kuptim tjetër.
Nuk është më vetëm:“Shkoni dhe dëgjoni qytetarët. ”Është:“ Shkoni, dëgjoni, raportoni dhe do të mateni.”Kjo e ndryshon krejt natyrën e nismës.
Sepse deputeti nuk është më vetëm përfaqësues politik. Ai po bëhet pjesë e një sistemi performance.
Dhe sistemi i performancës kërkon kontroll.
Rama nuk do më deputetë “sekserë”Në të njëjtën ditë, Rama vendosi edhe një vijë tjetër të kuqe.
Deputetët, sipas tij, nuk duhet të telefonojnë drejtorë për të futur njerëz në punë apo për të kërkuar favore.
Ai madje kërkoi që ndërhyrjet e deputetëve për punësime në administratë të konsiderohen vepër penale.
Kjo është e rëndësishme. Sepse po tenton të ndryshojë një marrëdhënie tradicionale të politikës shqiptare: qytetari → deputeti → drejtori → favori.
Në vend të kësaj, Rama kërkon: qytetari → deputeti → problem i regjistruar → institucion → përgjigje.
Nëse funksionon, ky do të ishte një ndryshim real. Por pyetja është: Kush garanton që sistemi i ri nuk do të prodhojë thjesht një formë tjetër ndërmjetësimi politik?
Dallimi është thelbësor. Nëse qytetari shkon të tregojë hallin dhe institucioni e zgjidh përmes një mekanizmi transparent, kemi reformë.
Nëse qytetari shkon te deputeti, deputeti e regjistron hallin, halli futet në një sistem dhe më pas përdoret për të matur performancën politike të deputetit, kemi diçka tjetër:
kemi një makineri politike shumë më të sofistikuar.“Pa kamera” – rastësi apo mesazh? Rama ka insistuar që “Prania Besnike” të mos kthehet në propagandë.
Edi Rama thotë se suksesi do të jetë kur PS-ja të mos dalë “me shkelma” nga pushteti dhe e lidh “Praninë Besnike” me disiplinën e mandatit të katërt. Por qytetari nuk duhet të jetë instrumenti me të cilin matet vetëm mbijetesa e një partie.
Prandaj pyetja e vërtetë nuk është nëse deputetët do të jenë të premten në orën 17:00 në territor. Pyetja është: Çfarë ndodh të hënën me hallin që qytetari la mbi tavolinën e deputetit të premten? Sepse aty do të duket nëse kemi një “Prani Besnike” ndaj qytetarit…apo thjesht një “prani besnike” ndaj makinerisë së pushtetit. Mos harrojmë deputeti ska të drejtë të ndërmjetësojë për zgjidhje sipas deklaratês së kreut qeverisës. Pra halli mbetet thjesht një instrument i performancës, në zyrën e deputeti.

Lini një Përgjigje