Marta Kos : “Shqipëria kalon përmbushjen e standarteve në sundimin e ligjit” sinjali europian për drejtësinë shqiptare

KOS DEKLARON: “SHQIPËRIA KA BËRË PËRPARIME TË DUKSHME NË PËRMBUSHJEN E STANDARDEVE KYÇE TË SUNDIMIT TË LIGJIT.”

MATILDA KURTI | ARGUMENTI NEWS

“Bota ka ndryshuar. Dhe zgjerimi duhet të ndryshojë bashkë me të.” Kjo është deklarata me të cilën Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, hapi një kapitull të ri në debatin për të ardhmen e Bashkimit Europian dhe procesin e zgjerimit. Në fjalimin e saj në Zagreb,

Kos paralajmëroi një qasje të re të BE-së: më shumë integrim gradual, më shumë garanci për demokracinë dhe shtetin e së drejtës dhe një Bashkim Europian që duhet të përgatitet për të pranuar më shumë se 30 vende anëtare.

Por mesazhi i saj për Shqipërinë meriton vëmendje të veçantë. Në mesin e vendeve kandidate që ajo veçoi për progresin e tyre, Marta Kos përmendi Shqipërinë për përparimin në përmbushjen e standardeve kyçe të sundimit të ligjit. Dhe kjo nuk është një frazë thjesht diplomatike.

Çfarë do të thotë “sundimi i ligjit” për Shqipërinë?

  • Në gjuhën e procesit të integrimit europian, sundimi i ligjit lidhet drejtpërdrejt me drejtësinë:
  • pavarësinë dhe funksionimin e gjyqësorit,
  • të drejtën për një gjykim të drejtë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,
  • funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë dhe garantimin që ligji të zbatohet njësoj për të gjithë.

Në fakt, kur Kos foli për Shqipërinë në konferencën ndërqeveritare të BE-së në Bruksel, ajo ishte shumë konkrete. Ajo vlerësoi përmbushjen e standardeve të ndërmjetme të sundimit të ligjit dhe përmendi vettingun e qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve, krijimin e institucioneve të reja të vetëqeverisjes së gjyqësorit dhe ngritjen e SPAK-ut. Sipas saj, këto hapa kanë ndihmuar në reduktimin e ndikimit politik në drejtësi. Kjo është arsyeja pse deklarata e sotme e Marta Kos ka peshë të veçantë.

Ajo nuk tha thjesht se Shqipëria “po ecën përpara” në rrugën europiane. Ajo e vendosi Shqipërinë pikërisht te një prej kritereve më të rëndësishme dhe më të ndjeshme të anëtarësimit: sundimi i ligjit. Një vlerësim që prek drejtpërdrejt drejtësinë. Për Shqipërinë, kjo do të thotë se reforma në drejtësi nuk po shihet më vetëm si një proces i brendshëm politik apo institucional.

KOS DEKLARON: “SHQIPËRIA KA BËRË PËRPARIME TË DUKSHME NË PËRMBUSHJEN E STANDARDEVE KYÇE TË SUNDIMIT TË LIGJIT.”

Dhe këtu meriton të përmendet edhe puna e qeverisë dhe sidomos “Rama 4” specifikisht, Ministrisë së Drejtësisë dhe drejtimit të saj, e cila ka një përgjegjësi të veçantë në këtë proces: harmonizimin e legjislacionit, forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe mbështetjen e reformave që lidhen drejtpërdrejt me standardet europiane. Është një fushë ku puna nuk matet vetëm me ligje të miratuara, por me atë që qytetari shqiptar përjeton çdo ditë: a funksionon drejtësia, a është gjykimi i drejtë, a përgjigjet korrupsioni para ligjit dhe a është ligji mbi individin dhe pushtetin?Prandaj, vlerësimi i Marta Kos për “përparimin në sundimin e ligjit” është një sinjal që duhet lexuar me kujdes.

Shqipëria po afrohet te “vija e finishit”

Komisioni Europian po përgatitet të ndryshojë edhe vetë mënyrën se si funksionon zgjerimi. Kos tha se vendet kandidate nuk duhet të përballen më me logjikën “gjithçka ose asgjë”, por duhet të ketë mënyra më të strukturuara të integrimit gradual, ndërkohë që përparimi në reforma mbetet kusht për përfitimet e reja europiane. Për Shqipërinë, kjo vjen në një moment veçanërisht të rëndësishëm. Pas përmbushjes së standardeve të ndërmjetme të sundimit të ligjit,

Shqipëria ka nisur të mbyllë kapitujt e parë të negociatave. Këshilli i BE-së e ka cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme dhe ka theksuar se vendi duhet të vazhdojë reformat kryesore. Kështu, deklarata e Marta Kos nga Zagrebi mund të lexohet edhe si një mesazh politik për Tiranën:

Reforma në drejtësi po jep rezultat në dosjen europiane. Por tani nga ana e ministrisë dhe ministrit të saj Z.Toni Gogu, kërkohet që ky progres të konsolidohet dhe të çojë Shqipërinë drejt përshpejtimit dhe mbylljes së negociatave.

Nga Brukseli, sinjali është pozitiv. Nga Shqipëria, puna vazhdon. Dhe në këtë rrugë, sundimi i ligjit mbetet prova më e rëndësishme se sa europiane është bërë realisht Shqipëria.


Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *