Të huajt po blejnë prona në Shqipëri: A po humbasin shqiptarët apo po hyn kapital i ri në ekonomi?

NGA: Matilda Kurti

Në rrjetet sociale dhe në intervista të ndryshme po qarkullojnë deklarata për interesin e madh të të huajve për të blerë prona në Shqipëri.

Në këtë debat është përmendur edhe kolonel i nderuar Hajro Limaj, i cili ka folur për zhvillime të rëndësishme gjeopolitike dhe ekonomike në vend. Por përtej shifrave që duhen verifikuar, pyetja ekonomike është shumë më e thjeshtë:

Nëse një i huaj sjell paratë e tij dhe blen një pronë në Shqipëri, ku është humbja? Nëse një apartament, vilë apo njësi biznesi blihet me kapital të ardhur nga jashtë, paratë hyjnë në ekonominë shqiptare. Përfiton pronari që shet, ndërtuesi, agjencia imobiliare, noteri, bankat, kompanitë e mobilimit dhe një seri shërbimesh të tjera. Nëse prona jepet me qira, krijohet edhe një burim tjetër të ardhurash. Pra, prona mbetet në Shqipëri, ndërsa kapitali hyn në Shqipëri. Madje, rritja e kërkesës për prona mund të rrisë edhe vlerën e pasurisë së shqiptarëve që tashmë zotërojnë apartamente, toka apo vila.

Këtu duhet bërë dallimi: problemi nuk është që një i huaj blen pronë. Problemi do të ishte nëse kapitali është i paligjshëm, nëse ka pastrim parash, manipulim të tregut apo ndërtime pa kriter. Kjo do të thotë se Shqipëria nuk duhet të frikësohet nga kapitali i huaj. Duhet ta kontrollojë dhe ta formalizojë atë.

SHBA-ja, Kanadaja dhe shumë ekonomi të zhvilluara janë ndërtuar edhe përmes ardhjes së njerëzve, kapitalit dhe sipërmarrjes nga jashtë. Shqipëria, një vend që ka nevojë për investime, nuk mund të kërkojë zhvillim duke i mbyllur derën kapitalit. Nëse ka kërkesë të lartë për blerje, kjo do të thotë se Shqipëria po bëhet më tërheqëse për kapitalin ndërkombëtar.

Dhe pyetja e vërtetë nuk është: “Pse po blejnë të huajt Shqipërinë? ”Por:“Si ta kthejmë këtë interes të huaj në më shumë investime, vende pune, taksa dhe zhvillim për shqiptarët?” Sepse një i huaj mund të marrë një apartament. Por paratë me të cilat e blen, i sjell në Shqipëri.


Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *