Kryeministri u kërkon llogari mësuesve për disiplinën e nxënësve, por kush u përgjigjet për të drejtat e tyre të pambyllura? Paga e 13-të dhe pagesa e largësisë mbeten çështje që kërkojnë përgjigje.
MATILDA KURTI
Ditët e fundit, sfida më e madhe nuk është përballuar vetëm në sheshet e protestave, por edhe brenda klasave. Aty ku mësuesit, përveç detyrës së tyre të përditshme për të mësuar dhe edukuar, janë gjendur përballë një situate të vështirë politike, që ka përfshirë emocionalisht edhe nxënësit, sidomos ata të arsimit të mesëm të lartë.
Nga njëra anë, nxënës që duan të largohen nga mësimi për t’iu bashkuar protestës, pa lejen e prindërve. Nga ana tjetër, telefonata dhe ftesa të shokëve që ndodhen në shesh, që i nxisin të bëhen pjesë e asaj që po ndodh. Dhe në mes të gjithë kësaj, mësuesi, i cili duhet të mbajë klasën, të ruajë disiplinën, të mbrojë fëmijët dhe të mos lejojë që shkolla të kthehet në arenë të përplasjeve politike.
Kryeministri ka folur me tone të forta ndaj mësuesve. Me të drejtë, kur bëhet fjalë për detyrimin e tyre për të mbrojtur nxënësit dhe për të mos lejuar braktisjen e mësimit. Në fund të fundit, prindërit i kanë sjellë fëmijët në shkollë për t’u arsimuar, jo për t’i lënë në mes të një përplasjeje politike.
Por, kryeministër, a e dini se cila është sfida e vërtetë e një mësuesi? Jo gjithmonë është nxënësi që ngrihet nga banka dhe kërkon të dalë nga klasa. Ndonjëherë është ajo që nxënësi të thotë në sy dhe që ti, si mësues, nuk arrin t’i përgjigjesh dot me gjithë fjalët që ke mësuar të përdorësh gjatë një jete të tërë në arsim.
Po tregoj një situatë reale, të përjetuar personalisht .
Gjatë orës së mësimit, një nxënëse nxjerr pasqyrën dhe buzëkuqin dhe fillon të lyejë buzët. E ndaloj. Dhe përgjigjja e saj vjen e drejtpërdrejtë, sfiduese, tronditëse në thjeshtësinë e saj:
“Çfarë po bëj? Po lyej buzët! Pse më ndalon ti të lyej buzët gjatë mësimit, kur qeveritarët vjedhin miliona euro?”
- Dhe une mbeta.
- Sigurisht, e di çfarë duhet t’i shpjegoj një nxënëseje.
- E di pse prindërit e kanë sjellë në shkollë.
- E di se çfarë detyrimesh ka ajo, pse duhet të respektojë rregullat dhe pse ora e mësimit nuk është vendi për të lyer buzët.
- E di edhe se një shkelje nuk justifikohet me një shkelje tjetër.
Por, për një çast, brenda meje, mbeta pa fjalë. Çfarë t’i thoja?
T’i flisja për disiplinën? Për përgjegjësinë? Për respektin ndaj mësuesit? Për rregullat që duhen zbatuar?
Po, këto janë të gjitha të vërteta. Por përballë meje ishte një nxënëse që nuk po sfidonte vetëm rregullin e klasës. Ajo po më përplaste në fytyrë realitetin që sheh, dëgjon dhe lexon çdo ditë. Një realitet të mbushur me lajme për korrupsion, akuza për vjedhje, skandale dhe pushtetarë që përmenden në debatet publike.
Dhe unë, mësuesja, duhej të gjeja fjalët për t’i shpjeguar se rregullat vlejnë për të gjithë.
Në heshtjen time, realiteti ishte më tronditës se veprimi i saj. Ajo kishte nxjerrë pasqyrën për të lyer buzët si një formë rebelimi. Por pyetja e saj kishte nxjerrë në pah një problem shumë më të madh se buzëkuqi.
Si t’i kërkosh një nxënësi të besojë te autoriteti, kur ai sheh përditë një botë ku autoriteti vihet në dyshim?
Kjo nuk e justifikon nxënësen. Ajo duhet të mësojë se shkolla ka rregulla dhe se mësimi kërkon përgjegjësi. Por a mund t’ia kërkojmë vetëm mësuesit të mbajë mbi supe gjithë peshën e edukimit, ndërsa vetë politika i jep nxënësit arsye të dyshojë te fjalët që dëgjon në klasë?
Kryeministër, ju kërkoni që mësuesit të mbrojnë fëmijët nga politika. Dhe është detyra jonë ta bëjmë këtë. Por edukimi nuk bëhet vetëm me urdhra dhe as autoriteti nuk ndërtohet vetëm me tone të forta. Ai ndërtohet edhe me shembullin që jep shoqëria, me besimin te institucionet dhe me bindjen se askush nuk është mbi ligjin.
Dhe këtu vijmë te pyetja që më shqetëson edhe më shumë.
Po mësuesit, kush i dëmshpërblen?
Kryeministër, në deklaratat tuaja të ditëve të fundit, keni folur për dëmshpërblimin e bizneseve të prekura nga dëmet dhe keni deklaruar se do të dëmshpërblehen të gjithë. Mirë bëni. Bizneset kanë të drejtat e tyre dhe dëmet e provuara duhet të kompensohen.
Por kam disa pyetje për ju.
- Po mësuesit që nuk marrin pagesën e largësisë nga vendbanimi në punë, kush do t’i dëmshpërblejë?
- Po mësuesit që prej 13 vitesh nuk marrin pagën e trembëdhjetë, të cilën dikur e merrnin?
- Kush do të flasë për ta?
- Kush do t’u përgjigjet? Apo për mësuesit nuk ka paketa, nuk ka deklarata të forta, nuk ka të njëjtën ndjeshmëri?
Për biznesin e madh flitet për kompensim. Për mësuesin flitet për detyrime.
Për biznesin flitet për dëme që duhen riparuar. Për mësuesin flitet për përgjegjësi që duhet të përmbushë.
Për mësuesin ka gjithmonë një detyrë tjetër, një barrë tjetër, një kërkesë tjetër. Duhet të edukojë, të disiplinojë, të përballojë presionin e prindërve, të kuptojë nxënësit, të ruajë shkollën nga politika dhe të mbajë mbi vete pasojat e një realiteti që nuk e ka krijuar ai.
Po të drejtat e tij, kryeministër? Po dinjiteti i tij? Po puna e tij?
A nuk janë edhe mësuesit njerëz që punojnë, që kanë familje, që paguajnë faturat, që përballen me vështirësi dhe që presin nga shteti të njëjtën drejtësi që shteti u kërkon të tjerëve?
Ndjeshmëria juaj në deklaratat e ditëve të fundit është e dukshme kur flisni për biznesin dhe dëmet ekonomike. Por do të doja ta shihja po aq të dukshme edhe kur bëhet fjalë për shtresën e intelektualëve, për njerëzit e thjeshtë, për ata që nuk kanë asgjë tjetër në dorë përveç profesionit dhe punës së tyre.
Mësuesit nuk dalin çdo ditë në kamera për të kërkuar atë që u takon. Nuk kanë gjithmonë zërin e fortë të grupeve të interesit. Shpesh heshtin dhe vazhdojnë punën. Por kjo heshtje nuk do të thotë se nuk kanë halle. As se kanë harruar çfarë u mungon.
Dhe kur vjen dita që kryeministri u kërkon llogari, mësuesit kanë të drejtë të pyesin: po ju, kur do të na jepni llogari për detyrimet tuaja ndaj nesh?
Unë do të vazhdoj t’u shpjegoj nxënësve se duhet të respektojnë rregullat, të mos braktisin mësimin dhe të mos e ngatërrojnë të drejtën për të protestuar me të drejtën për të shpërfillur përgjegjësitë e tyre.
Por nuk mund të bëj sikur nuk e dëgjova atë nxënëse. Nuk mund të bëj sikur pyetja e saj nuk më tronditi. Dhe nuk mund të pranoj që i gjithë autoriteti i shkollës të lihet mbi shpatullat e mësuesit, ndërsa përgjegjësia e politikës të mbetet një çështje e largët.
Sepse atë ditë, në klasë, unë nuk mbeta pa fjalë ngaqë nuk dija çfarë t’i mësoja nxënëses. Mbeta pa fjalë sepse e kuptova sa e vështirë është t’i flasësh një brezi për drejtësinë, kur ai kërkon ta shohë atë edhe jashtë shkollës.
Kryeministër, mësuesve mund t’u kërkoni të mbrojnë shkollën. Dhe duhet t’ua kërkoni. Por mos harroni se edhe mësuesit kanë të drejtë të kërkojnë mbrojtjen e dinjitetit dhe të drejtave të tyre.
Sepse mësuesi nuk është vetëm ai që duhet t’i japë përgjigje nxënëses që sfidon rregullat. Është edhe qytetari që pret përgjigje nga qeveria.
Dhe, para se t’u kërkoni mësuesve të mos heshtin përballë rebelimit të nxënësve, pyesni veten: sa gjatë duhet të vazhdojnë të heshtin mësuesit përballë padrejtësive që pretendojnë se u janë bërë atyre?

Lini një Përgjigje