Kjo nuk është më thjesht një protestë. Është një popull që po përballet me vetveten!
MATILDA KURTI
Policë dhe civilë të plagosur, plumba plastikë nga njëra anë, gurë dhe fishekzjarrë nga ana tjetër. Qindra familje që presin me ankth lajmin për të afërmit e tyre. Një vend ku përballë njëri-tjetrit qëndrojnë njerëz që, pavarësisht uniformës apo bindjeve, janë bij të së njëjtës tokë. Vëllai përballë vëllait, shqiptari kundër shqiptarit.
A nuk mjaftoi kjo dhunë që politika të kuptojë se ka ardhur koha të lërë mënjanë egot, të ulet dhe të bisedojë? Sa të tjerë duhet të plagosen që dialogu të mos jetë më një mundësi e shtyrë, por një domosdoshmëri?
Kjo e sotmja është një furtunë e gjallë, që të kujton pamjet e një lufte civile. Nga njëra anë, policë dhe civilë të plagosur; nga ana tjetër, plumba plastikë, gurë dhe fishekzjarrë që shpërthejnë para syve të tyre.
Dhuna po përshkallëzohet, njerëzit po lëndohen dhe qindra familje po jetojnë me ankthin për të afërmit e tyre.
Ku do të ndalemi kështu? Nga njëra anë janë të rinjtë që kërkojnë të dëgjohen, nga ana tjetër policët që kanë detyrën të zbatojnë ligjin.
Por kur përballja kthehet në dhunë, kur gurët përplasen me plumbat dhe njerëzit plagosen në rrugë, nuk ka më fitues. Ka vetëm viktima, familje të tronditura dhe një shoqëri që po copëtohet përpara syve tanë.
Polici duhet të zbatojë ligjin, është në detyrë, edhe nêse përballë ka fëmijën e tij. Protestuesi ka të drejtë të protestojë, dhe egërsohet edhe më tepë me shtetin edhe sikur përballë të ketë prindin e tij kundërshtar, sepse urren faktin që prindi ka marrë urdhër ta ndalojë liftën e tij. Dhe mbi të gjitha, fëmijët dhe të rinjtë nuk duhet të bëhen viktima të një përplasjeje, pasojat e së cilës mund të jenë të pariparueshme.
Në të dyja anët e kësaj përballjeje ka njerëz. Ka prindër, bij, vëllezër, motra dhe familje që presin me ankth lajmin se të afërmit e tyre janë mirë. Një polic mund të ketë një fëmijë në moshën e protestuesit që ka përballë. Një i ri mund të jetë djali i dikujt që sot ndodhet në rreshtat e policisë.
A e kuptojmë se po përballemi me njëri-tjetrin, ndërsa dhimbjen do ta ndajmë të gjithë bahskë?
O politikanë, a nuk ka ardhur koha të ndaleni?
Deri kur do të mbizotërojë egoja juaj, ndërsa qytetarët plagosen dhe familjet jetojnë në ankth?
Deri kur do të presim që dikush të kuptojë se përplasja nuk mund të jetë zgjidhja e një krize politike?
Uluni dhe bisedoni! Gjeni një zgjidhje politike përpara se kjo furtunë të marrë përmasa edhe më të rënda. Nuk është koha për të numëruar fitoret politike, por për të ndalur humbjet njerëzore.
Ky vend është i të gjithëve. Nuk mund të shkatërrojmë të ardhmen e tij në emër të egove, interesave dhe përplasjeve që nuk po prodhojnë asgjë tjetër veçse plagë. Kjo që po shohim sot ka pamjen dhe rrezikun e një lufte civile. A do të presim që ajo të shkojë edhe më larg, përpara se të kuptojmë se duhet të ndalemi? Ky popull nuk ka nevojë për më shumë urrejtje. Ka nevojë për dialog. Për përgjegjësi. Për paqe. Sepse pas çdo guri dhe çdo plumbi ka një rrezik real për jetën e dikujt. Dhe pas çdo të plagosuri ka një familje që dridhet nga frika e dhimbjes.

Lini një Përgjigje