Pacienti, Studenti dhe Pedagogu: Trekëndëshi i Pakënaqësisë Para Edi Ramës

Matilda Kurti

PROTESTA E MADHE E ANKESAVE

Në shesh u mblodhën të gjithë. Pacientë, studentë, pedagogë, mjekë dhe ndoshta edhe ndonjë farmacist që nuk gjeti ilaçet që mungojnë në spitale.

Pacientët protestojnë sepse sistemi shëndetësor është kthyer në një maratonë korridore-sh, ku diagnoza e parë është: “Ke ndonjë mik brenda?” Ankohen për ryshfetet, mungesën e mjekimeve, mungesën e personelit dhe faktin që në disa zona periferike ambulanca vjen më rrallë se autobusi urban.

Pas tyre vijnë studentët e mjekësisë. Edhe ata kanë të drejtën e ankesës. Mësojnë nga ora 8 e mëngjesit deri në 9 të darkës. Jo sepse programi është aq revolucionar sa po shpik mjekësinë moderne, por sepse pedagogët duhet të bëjnë një xhiro të vogël mes universitetit publik dhe tre-katër privatëve për të plotësuar të ardhurat.

Studentët mbeten gjithë ditën para auditorëve, si udhëtarë në terminal pa biletë. Nuk punojnë dot, nuk fitojnë dot, nuk jetojnë dot. Dhe kërkojnë bursë, strehim, mbështetje financiare.

Kërkesa legjitime. Por këtu fillon komedia kombëtare.

Ata kërkojnë që shteti t’u paguajë studimet, t’u subvencionojë jetesën, t’u mbulojë shpenzimet dhe, sapo të marrin diplomën, të jenë të lirë të marrin avionin për Gjermani, Itali apo kudo tjetër ku paga fillon me një shifër që në Shqipëri konsiderohet legjendë urbane.

Pra, logjika është e thjeshtë: “Na financo arsimimin, por mos na kërko asnjë detyrim ndaj shoqërisë që e financoi.”

Një kontratë ku njëra palë paguan dhe pala tjetër largohet sapo merr çelësat.

Ndërkohë në protestë bashkohen pedagogët.

Ata kërkojnë paga më të larta, sepse paga aktuale nuk përputhet me nivelin e tyre profesional. Edhe kjo është e kuptueshme.Vetëm se qytetari i zakonshëm e ka të vështirë të kuptojë se si një pedagog arrin të jetë në të njëjtën ditë në universitetin shtetëror, në dy privatë, në një komision diplomash, në një projekt europian dhe në një konferencë online, ndërsa prapë e gjen kohën të ankohet se është i mbingarkuar.

  • Në fund të ditës, protesta i drejtohet Kryeministrisë.
  • Të gjithë bërtasin:
  • “Na rrit pagat!”
  • “Na ul tarifat!”
  • “Na jep bursa!”
  • “Na jep strehim!”
  • “Na jep personel!”
  • “Na jep mjekë!”
  • “Na jep ilaçe!”
  • “Na jep më shumë fonde!”
  • Dhe nga dritarja imagjinare e Kryeministrisë duket sikur del një zë:”Po mirë, kush do t’i prodhojë të gjitha këto?”

Heshtje. Sepse kjo nuk është më një protestë e një problemi të vetëm. Është një pasqyrë e një shteti ku pacienti nuk beson te spitali, studenti nuk beson te universiteti, pedagogu nuk beson te paga, mjeku nuk beson te e ardhmja dhe të gjithë së bashku shkojnë te e vetmja adresë që konsiderohet përgjegjëse për gjithçka.

Kështu rrotullohet cikli shqiptar i ankesave: universiteti ankohet për shtetin, studenti për universitetin, pacienti për mjekun, mjeku për pagën, pedagogu për sistemin dhe sistemi për mungesën e fondeve.

Ndërsa qytetari, që financon gjithë këtë zinxhir me taksat e tij, qëndron në fund të radhës dhe pyet me naivitet: “Po mirë, a ka mbetur ndonjë që është i kënaqur?

“Dhe përgjigjja vjen menjëherë:” Po, sigurisht. Ata që nuk dalin kurrë në protestë.”


Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *