Denis Deliu: “Pro protestës, pro demokracisë, kundër dhunës!” – Nga misionet në Afganistan te apeli për të mos përsëritur skenarët e vitit 1997

Matilda Kurti

Në një klimë të tensionuar politike, ish-deputeti socialist Denis Deliu apelon për protesta të organizuara dhe paqësore, duke paralajmëruar se dhuna rrezikon të zbehë kauzën qytetare dhe të sjellë pasoja të rënda për vendin. “Pro protestës, pro demokracisë, kundër dhunës!”

Ky është mesazhi i Deliut në një intervistë të fundit, ku ai thekson se protesta është një e drejtë demokratike, por ushtrimi i saj kërkon përgjegjësi, organizim dhe vetëpërmbajtje.“Duke folur nga përvoja ime si ushtarak, si person që kam marrë pjesë në protesta dhe i kam studiuar ato, besoj se protesta kërkon organizim, përgjegjësi dhe një drejtim të qartë”, shprehet ai.

Deliu paralajmëron se dhuna mund të kthehet në një kërcënim për vetë kauzën që protestuesit pretendojnë të mbrojnë. “Dhuna nuk e forcon kauzën, por rrezikon ta zbehë atë. Protesta duhet të jetë zëri i qytetarëve, jo një skenar që mund të na kthejë shumë vite pas, si në vitin 1997, me pasoja të rënda për vendin dhe shoqërinë”, thekson ish-deputeti.

Nga misionet në Afganistan te mesazhi për përgjegjësinëDeliu e mbështet qëndrimin e tij edhe te përvoja ushtarake. Ai ka shërbyer në dy misione në Afganistan, Eagle 4 dhe Eagle 8, si zëvendëskomandant i forcave speciale shqiptare të njohura si “Beretat Vishnje”, në operacionet në Kandahar. Ai është trajnuar nga forcat speciale amerikane Navy SEAL dhe Green Berets.

Në rrëfimet e tij publike ka folur edhe për rreziqet e misioneve dhe humbjen e kapitenit Feti Vogli, i cili ra në krye të detyrës në Afganistan. Përvoja në misione të tilla e vendos disiplinën, përgjegjësinë dhe vlerën e jetës në qendër të çdo vendimmarrjeje.

Në këtë këndvështrim, mesazhi i tij për protestat merr një domethënie më të gjerë:

“Njeriu që ka njohur nga afër rrezikun e konfliktit e di se guximi nuk matet me forcën për të shkatërruar, por me mençurinë për të mos lejuar që zemërimi të mposhtë arsyen.”“ Të protestosh është e drejtë. Të ruash paqen dhe të mos lejosh që zemërimi të kthehet në dhunë është përgjegjësi”, nënvizon Deliu.

Në një demokraci, protesta duhet të jetë mjet për të kërkuar ndryshim dhe llogaridhënie, jo një rrugë që çon drejt shkatërrimit. Qytetarët kanë të drejtën të kundërshtojnë, të kërkojnë përgjegjësi dhe të ngrenë zërin, por ruajtja e paqes mbetet një përgjegjësi e përbashkët.

Demokracia nuk provohet vetëm nga e drejta për të ngritur zërin, por edhe nga aftësia për ta mbajtur atë zë larg dhunës. Historia na mëson se shkatërrimi mund të ndodhë brenda një çasti, ndërsa rindërtimi i besimit, i paqes dhe i një shoqërie kërkon vite.


Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *