Kolë Gjoka| Argumenti News
Pse shqiptarët jashtë vendit nuk duhet ta shohin më Atdheun vetëm nga larg
Mos e gjykoni Shqipërinë nga larg: ndryshimi duhet parë nga afër
Ka një Shqipëri që shihet nga ekranet televizive, dhe rrjetet sociale, dhe një tjetër Shqipëri që duhet ta përshkosh të gjithën për ta kuptuar. Mes debateve politike, lajmeve dhe kritikave të përditshme, shpesh harrojmë të shohim atë që ndodh në terren: rrugët që ndërtohen, qytetet që transformohen, bizneset që hapen dhe njerëzit që punojnë edhe atëherë kur temperaturat e verës e bëjnë të vështirë çdo aktivitet.
Mjafton të udhëtosh drejt Pogradecit për ta parë këtë realitet. Në rrugë ndesh kantierë, punëtorë, investime dhe një vend që, me gjithë problemet dhe sfidat e tij, nuk ka ndaluar së ndryshuari. Shqipëria nuk është një projekt i përfunduar dhe as një histori suksesi pa probleme. Por është një vend në lëvizje. Dhe këtë realitet është e vështirë ta kuptosh nëse e gjykon vetëm nga larg.
Ndryshimi nuk matet vetëm me statistika. Ai shihet në rrugë, në qytete, në shërbime, në turizëm dhe mbi të gjitha te njerëzit që punojnë çdo ditë për ta bërë vendin më të mirë. Por çdo ndryshim kërkon edhe njerëzit e duhur për ta çuar përpara. Një drejtues, nga Kryeministri te kryetari i bashkisë, nuk mund të bëjë gjithçka i vetëm. Suksesi i tij varet edhe nga aftësia për të njohur njerëzit që ka në dispozicion, për të kuptuar aftësitë e tyre dhe për t’i vendosur në vendin ku mund të japin më shumë. Në këtë pikë, Shqipëria duhet të shohë edhe përtej kufijve të saj.
Diaspora nuk duhet të jetë spektatore
Për shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, Shqipëria vazhdon të jetë vendi i kujtimeve, i familjes dhe i rrënjëve. Por sot ajo mund të jetë edhe vendi i investimit, i bashkëpunimit, i ideve dhe i një marrëdhënieje të re me Atdheun. Pikërisht për këtë arsye, politizimi i tepruar i Diasporës nuk i shërben askujt. Diaspora nuk duhet të shndërrohet në vegël të partive politike. Roli i saj mund të jetë shumë më i rëndësishëm: të bëhet ambasadore e Shqipërisë.
Të promovojë atë që kemi marrë si dhuratë nga Zoti dhe historia: detin dhe malin, liqenet dhe lumenjtë, qytetet tona, kulturën, traditat dhe mikpritjen shqiptare. Shqipëria nuk duhet të jetë vetëm destinacioni Aeroport–Hotel dhe Hotel–Aeroport. Ajo duhet përjetuar. Duhet të udhëtosh nëpër qytetet e saj, të ulesh në një tavernë, të njohësh njerëzit, të shohësh fshatrat, të zbulosh historinë dhe të kuptosh se pas çdo destinacioni turistik ka një histori dhe një komunitet. Shqiptarët e Diasporës mund të jenë ura që lidhin turistët e huaj me vendin tonë. Mund t’u tregojnë atyre jo vetëm çfarë të vizitojnë, por edhe si ta përjetojnë Shqipërinë. Dhe kjo fillon nga vetë ne. Diaspora duhet të japë shembullin e respektimit të ligjit, të kulturës së komunikimit dhe të mikpritjes. Sepse një “faleminderit”, një “ju lutem” dhe një sjellje korrekte nuk janë shenja dobësie. Janë shenja kulture dhe force.
Kur ndryshimi shihet në qytet
Një nga mënyrat më të mira për të kuptuar ndryshimin është të shohësh qytetet që kanë zgjedhur të investojnë në cilësinë e jetës dhe në turizëm.
Lezha dhe Shëngjini janë ndër shembujt që meritojnë vëmendje. Pastërtia, rendi, hapësirat publike dhe zhvillimi turistik janë elementë që ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si një qytet përjetohet nga banorët dhe vizitorët. Në këtë proces, puna e pushtetit vendor ka rëndësi të veçantë. Dhe këtu duhet përmendur edhe Bashkia Lezhë dhe kryetari i saj, Pjerin Ndreu, si një shembull i një drejtimi vendor që ka vendosur theksin te transformimi i qytetit dhe potenciali turistik i zonës. Nuk ka nevojë që çdo gjë të shpallet sukses dhe as që çdo kritikë të mohohet. Përkundrazi, një vend ndryshon kur është në gjendje të njohë edhe atë që funksionon. Sepse Shqipëria nuk ndërtohet vetëm me projekte të mëdha. Ndërtohet edhe me një rrugë më të mirë, me një qytet më të pastër, me një shërbim më korrekt, me një biznes që punëson të rinj, me një turist që largohet me përshtypje të mirë dhe kthehet sërish.
Të flasim për Shqipërinë duke e njohur atë
Ndoshta ka ardhur koha që debati për Shqipërinë të mos zhvillohet vetëm nga larg. Ta vizitojmë. Ta shohim. Ta krahasojmë. Ta kritikojmë kur duhet, por edhe ta vlerësojmë kur ka arsye. Sepse një vend nuk ndryshon vetëm nga ata që qeverisin. Ndryshon edhe nga njerëzit që jetojnë në të, nga ata që kthehen, nga ata që investojnë dhe nga ata që, edhe pse jetojnë mijëra kilometra larg, vazhdojnë ta ndiejnë Shqipërinë si shtëpinë e tyre. Kjo është sfida e Diasporës shqiptare: jo të jetë thjesht spektatore e debatit politik, por pjesë e ndryshimit.Të mos flasë vetëm për Shqipërinë.Ta tregojë Shqipërinë.

Lini një Përgjigje