MATILDA KURTI | ARGUMENTI NEWS
Xhakolli në krah të Ramës, Çomo në Parlament: A meriton Pogradecit një karrige për herë të parë në kabinet?
Pogradeci po fiton një peshë të veçantë në skenën politike të këtyre ditëve, falë kordinimit të punës së shkëlqyer të pushtetit vendor dhe atij qëndror. Qyteti liqenor nuk është më vetëm një destinacion ku Edi Rama zgjedh të zhvillojë mbledhje të qeverisë, takime me drejtuesit politikë apo momente të rëndësishme të jetës së Partisë Socialiste.
Pogradeci po kthehet në një hapësirë ku pushteti mblidhet, organizohet dhe përcakton hapat e radhës. Edhe këtë herë, zgjedhja e Ramës për Pogradecin nuk duket thjesht një zgjedhje gjeografike.
Në një moment kur “Rama 4” po hyn në një fazë të re organizimi dhe kur priten diskutime mbi performancën e qeverisë, strukturat e PS-së dhe prioritetet e mandatit, qyteti merr një vëmendje që shkon përtej mikpritjes.
Në këtë skenë, Ilir Xhakolli ka edhe ai një rol të veçantë. Si kryetar i Bashkisë së Pogradecit, ai është figura vendore që mikpret dhe organizon në krah të aktivitetit të kryeministrit. Një mikpritje e tillë nuk është vetëm protokollare: është edhe një mundësi për të treguar kapacitetin organizativ të qytetit dhe peshën që ai ka fituar si një prej hapësirave të preferuara për takimet e nivelit të lartë të Ramës. Por Pogradeci nuk është vetëm mikpritës. Ai tashmë ka edhe përfaqësimin e tij politik në Parlament.
Në këtë panoramë spikat edhe deputeti pogradecar Bledi Çomo, aktiv, i qetë dhe me profil profesional. Prania e tij i jep qytetit një tjetër dimension: Pogradeci nuk është vetëm vendi ku zhvillohen takimet e pushtetit, por edhe një qytet që përfaqësohet në mënyrë aktive në institucionin më të lartë ligjvënës. Dhe pikërisht këtu lind pyetja më interesante.
Nëse Pogradeci është bërë një prej qyteteve ku Rama zgjedh të mbledhë ekipin e tij; — a mund të jetë ky momenti kur Pogradeci të kërkojë edhe një karrige në “Rama 4”? Nuk ka, deri tani, një vendim publik që konfirmon një përfaqësues të Pogradecit në kabinet. Në 4 mandate qeverisje e meriton të vlerësohet. Prandaj kjo mbetet një pyetje politike dhe jo një fakt i kryer.
Por politika nuk matet vetëm me vendimet e shpallura. Matet edhe me peshën që një qytet fiton, me marrëdhënien që ndërton me qendrën e vendimmarrjes dhe me figurat që arrin të nxjerrë në skenë.
Pogradeci duket se i ka të treja: mikpritjen, përfaqësimin dhe vëmendjen politike.Tani mbetet pyetja: A do të jetë Pogradeci vetëm qyteti ku Rama mbledh pushtetin, apo do të jetë edhe qyteti që merr një pjesë të tij në “Rama 4”?


Lini një Përgjigje