“Shqipëria mes 75 vendeve të prekura – zhvillim i ri për bashkimet familjare në SHBA”
Matilda Kurti | ARGUMENTI NEWS
Një gjykatë federale në Nju Jork ka rrëzuar politikën e administratës Trump që pezullonte lëshimin e vizave të emigrimit për shtetasit e 75 vendeve, mes tyre edhe Shqipëria. Vendimi i 21 gushtit hap një zhvillim të ri për mijëra aplikantë, përfshirë familjet që presin bashkimin me të afërmit e tyre në Shtetet e Bashkuara.
Gjykatësja federale Jeannette Vargas vendosi se politika e vendosur nga Sekretariati amerikan i shtetit binte ndesh me ligjin federal të emigracionit. Në vetë vendimin e gjykatës, që është publikuar më 21 gusht, thuhet se politika “kategorikisht ndalon lëshimin e vizave të emigrimit bazuar në kombësinë e aplikantit” dhe se kjo përbën “një shkelje të drejtpërdrejtë të kësaj skeme ligjore”.
Gjykata urdhëroi gjithashtu anulimin e refuzimeve të vizave që ishin bërë vetëm mbi bazën e kësaj politike dhe rikthimin e vlerësimit individual të aplikimeve. Organizata National Immigration Law Center, e përfshirë në çështjen gjyqësore, e cilësoi vendimin një fitore të rëndësishme për familjet dhe shtetin e së drejtës.
Shqipëria ishte në listën e 75 vendeve
Politika e administratës Trump hyri në fuqi më 21 janar 2026 dhe preku shtetasit e 75 vendeve, përfshirë Shqipërinë dhe vende të tjera të Ballkanit. Departamenti Amerikan i Shtetit kishte urdhëruar pezullimin e lëshimit të vizave të emigrimit për këto shtetësi, ndërsa intervistat mund të vazhdonin të zhvilloheshin. Administrata amerikane e kishte justifikuar masën me shqetësimin se aplikantët nga këto vende mund të bëheshin “public charge”, pra të vareshin nga përfitimet publike në SHBA.
Çfarë ndryshon për bashkimet familjare?
Rasti është veçanërisht i rëndësishëm për bashkimet familjare, pasi paditësit përfshinin aplikantë për viza dhe qytetarë amerikanë që kishin sponsorizuar familjarët e tyre. Associated Press raporton se disa prej personave të përfshirë në çështje ishin ndarë nga familjarët e tyre si pasojë e pezullimit.
Vendimi nuk do të thotë se çdo shqiptar që aplikon për vizë emigrimi merr automatikisht vizën. Ai rrëzon pezullimin e përgjithshëm dhe kërkon që aplikimet të vlerësohen individualisht, sipas kuadrit ligjor amerikan.Reuters e raportoi vendimin si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj politikës së administratës Trump, ndërsa Al Jazeera dhe Associated Press konfirmuan se gjykata e anuloi politikën që kishte prekur 75 shtete.
Për shqiptarët që kanë dosje për bashkim familjar në SHBA, zhvillimi mund të jetë veçanërisht i rëndësishëm, pasi baza e pezullimit të vizave për shkak të shtetësisë tashmë është rrëzuar nga gjykata federale.


Lini një Përgjigje