NGA: Prof. Rexhep Uka
Përshëndetje, të dashur pjesëmarrës, autorë dhe aktorë të kësaj feste, e cila sot mbushi 3 vjet! Në radhë të parë, e konsideroj vërtet privilegj që m’u dha mundësia të them dy fjalë zemre për banorët dhe vendin e kësaj treve me kaq shumë histori dhe vlera. Ju faleminderit! Së dyti, një “Ju lumtë!” të madhe për nismëtarët, ideatorët dhe organizatorët e kësaj feste, për të cilën kam bindjen e plotë se do të rritet, do të zhvillohet dhe do të shndërrohet në një institucion, forum dhe investim që do t’i shërbejë këtij vendi dhe populli në të gjitha aspektet social-ekonomike dhe historike.
Ajo do të bëhet pjesë e memories kombëtare, diçka që unë e kam ëndërruar pesë dekada më parë. Një festë që do të bëhet traditë, ditë përkujtimore dhe, nesër, një sinergji e paimagjinueshme për ta zhvilluar dhe ripërtërirë këtë vend të lashtë.
Plot një gjysmë shekulli më parë kalova për herë të parë Qafë-Shkallën, për të zbritur në Xibër si stazhier, vetëm 23 vjeç. Ëndrrat e mia si student kishin ndërruar korsi. Pothuajse asgjë nuk kishte lidhje me çfarë kisha mësuar në shkollë, në librat ideologjikë dhe propagandën e regjimit. Nga lumturia dhe begatia e shumëtrumbetuar nuk pashë asgjë, në asnjë pëllëmbë të vendit dhe në asnjë çast.Të thënat dhe të pathënat për njerëzit dhe Xibrin ishin nga më të çuditshmet: opinione dhe përshtypje personale që, në shumicën e rasteve, ishin krejt të pavërteta. Nuk kaloi shumë dhe krijova gjykimet e vlerësimet e mia, krejt ndryshe.Sigurisht, ajo që ndeshje e para ishte mungesa totale e infrastrukturës. Izolimi këtu kishte muzeun e vet; mjerimi ishte në ekstrem. Politika djallëzore kishte internuar, kishte vendosur në një lloj arresti, në shtëpinë dhe oborrin e vet, çdo familje. Prangat e diktaturës kishin ndalur fjalën e lirë; të pathënat thuheshin fshehtas, me dhe pa diplomaci.
Kjo ishte e vetmja e vërtetë që ndeshje dhe shihje në çdo hap.“Kush është Mao Ce Duni?”, ishte pyetja që bëhej kur ai vdiq asokohe. Vallë nuk e dinin, nuk e njihnin? Apo na provonin, na provokonin ne, për të parë se si do të reagonte fytyra jonë?! E shtuna pasdite pritej nga fëmijët si dita kur babai do të sillte bukë gruri nga miniera e Krastës apo e Bulqizës. Të nesërmen, në oborrin e shkollës, i shihje tek hanin bukë gruri me bukë misri dhe i tregonin njëri-tjetrit: “Po, edhe mua ma ka sjellë babai.” Çfarë ironie e dhimbshme! Por kjo ishte pamja e regjimit. E vërteta më e madhe që unë zbulova ishte një tjetër: pashë një Xibër plot virtyte, visare, mikpritje, histori, inteligjencë, disidencë e qëndresë; pashë gjithçka shqiptare dhe autentike.
Duheshin mbajtur këta njerëz në “hyqëm”, sepse ishin afër Tiranës. Vetëm dhjetë minuta nga Murriza, mali dhe ujërat të kthenin nga kryeqyteti, tek i cili shkohej nga Bazi, nga Kina. Kjo ishte politika famëkeqe e diktaturës së proletariatit.
Sot kohët kanë ndryshuar. Vargojtë u këputën. Xibrakët sot të japin leksion demokracie, sepse inteligjenca, kuraja dhe diplomacia nuk u kanë munguar asnjëherë. Për mua, edhe pas 50 vitesh, nuk ka një vend tjetër që, për njësinë e kohës që kam jetuar në të, të më ketë lënë kaq shumë mbresa dhe nostalgji. Xibri mbeti për mua një shkollë, një mbishkollë, diplomë mbi diplomë, një “post-doc”, por, mbi gjithçka, pjesa “shkëmb” e biografisë sime, së cilës, çfarëdo që ndodhi më pas, asgjë nuk mundi t’ia zërë vendin.
Mbeti sprova e jetës. Çdo vuajtje dhe vështirësi që pata përballë më pas e kapërceja me shpresë; rikthehesha në vitin 1976, tek Xibri, për t’u rifrymëzuar, por jo vetëm – edhe për të mos harruar.
Një bindje e kam, ashtu siç e kam pasur edhe në atë vit stazhi: e dija se këto ditë që po kalojmë sot do të vinin. Edhe pse ende janë të vështira, përsëri jam i bindur se e nesërmja e Xibrit do të jetë më e mirë.Ky ballkon, kjo “nyjë” e madhe që lidh Shqipërinë verilindore me shtëpinë e pritjes shqiptare, Tiranën, xibrakët do ta kthejnë në një destinacion model, në një copë të “dheut” të pastër të Shqipërisë.

Këtu turistët do të vijnë të “falen” dhe të furnizohen me oksigjenin e pashtershëm. Këtu do të jetohet. Nuk do të jetë më vend internimi, nuk do të jetë më vend vetëm për llogore. Historia e lashtë ilire do të vijë shumë afër kësaj treve; ajo do t’u japë nder dhe do t’ua kthejë pafajësinë xibrakëve. Do të lexohet kontributi i tyre kudo ku kanë mërguar dhe do të rindërtohet harta e diasporës xibrake, me gjithë qytetërimin e tyre, që nuk humbet kurrë. Mos e “shisni” lirë këtë vend! Kudo që të lindë e kudo që të jetojë xibraku, nuk ka për ta harruar gjenezën e tij. Xibrakët sigurisht do të mërgonin, por ata, ashtu si astronautët e parë në Hënë që panë prej andej Tokën dhe u mrekulluan nga hijeshia e saj, pasi dolën nga izolimi dhe panë botën, e kuptuan edhe më mirë vlerën e vendit të tyre. Dashuria dhe vlerësimi për begatitë e atdheut të vet vetëm sa iu dyfishuan.
Xibri është një resurs natyror më se i begatë, por toka nuk prodhon aq nga pjelloria e saj, sa nga liria e banorëve të vet. Ne kemi një tranzicion të vështirë, sepse e kaluara është ende nëpër këmbë; e ka lënë litarin jashtë. Kemi ndryshuar shumë, por duhet të zhvillohemi edhe më shumë.
Koha do ta tregojë – madje ka filluar ta tregojë – se mundi, dija dhe djersa e djalërisë xibrake kanë kohë që po japin shenjat e para të investimit në këtë vend. Më tej do të dalin në dritë edhe më shumë vlerat e kësaj treve, ndër më të vjetrat në Ballkan, sepse këtu ka ende thesare të pazbuluara.
Nuk më mbetet tjetër veçse t’i uroj çdo banori dhe gjithë komunitetit mbarësi, begati dhe lumturi në çdo familje!Ju faleminderit!
Prof. REXHEP UKA Ish-stazhier, agronom në Xibër, 1976–1977


Lini një Përgjigje