Vrasja e turistit portugez, misteri i bodyguard-it: Çfarë lidhje kanë dy turqit dhe efektivi i policisë?

NGA: MATILDA KURTI

Vrasja e portugezit, përtej historisë së turistit: bodyguard, efektiv policie dhe dy shtetas turq në të njëjtën skenë

Fillimisht u raportua si një ngjarje e rëndë ku një turist i huaj kishte humbur jetën pas një konflikti në një zonë turistike. Por rrethanat që po dalin nga ngjarja ngrenë një tjetër version për t’u hetuar: a kemi të bëjmë realisht me një konflikt të rastësishëm në një ambient turistik, apo me përplasjen e personave që kishin lidhje të tjera mes tyre?

Në qendër të ngjarjes është Sokrat Vata, 29 vjeç, i cili u raportua fillimisht si punonjës plazhi. Pas konfliktit fizik, sipas të dhënave të publikuara, ai doli në ambientet e jashtme dhe goditi për vdekje me thikë shtetasin portugez.

Por më pas del një element që ndryshon ndjeshëm tablonë: Vata rezulton se njihej nga dy shtetas turq si bodyguard dhe, pas krimit, u gjet i fshehur në bagazhin e automjetit të tyre. Kjo ngre një pyetje themelore: çfarë bënte realisht Vata në atë zonë dhe për kë punonte?

Nëse ai ishte punonjës plazhi, siç u raportua fillimisht, por njëkohësisht paguhej si bodyguard nga dy shtetas turq, atëherë marrëdhënia e tij me këta persona dhe aktiviteti i tij real duhen sqaruar nga hetimi.

Edhe më domethënëse është figura e efektivit të policisë Moisid Matushaj. Sipas të dhënave të publikuara, Matushaj punonte në të njëjtin biznes ku ndodhi konflikti. Pas përleshjes, ai nuk qëndroi thjesht si dëshmitar. Sipas versionit të bërë publik, e ndihmoi Vatën të largohej nga vendngjarja dhe më pas, pasi Vata kërkoi të dërgohej në spital, e la rrugës dhe njoftoi policinë.

Pra, në të njëjtën histori shfaqen një person i raportuar si punonjës plazhi dhe i lidhur si bodyguard me dy shtetas turq, një efektiv policie që punonte në biznesin ku ndodhi konflikti, dy shtetas turq që e transportuan autorin dhe një shtetas portugez që humbi jetën.

Kjo e bën të pamjaftueshme pretendimin e thjeshtë të një “turisti të vrarë në plazh”. Viktima ishte shtetas portugez dhe ngjarja ndodhi në një zonë turistike, por kjo nuk do të thotë automatikisht se kemi të bëjmë me një ngjarje që lidhet me turizmin apo me një konflikt të rastësishëm mes turistësh dhe punonjësish. Nëse rrethanat e mësipërme konfirmohen nga hetimi, kemi të bëjmë me një konflikt që duhet parë përmes marrëdhënieve mes personave të përfshirë, jo vetëm përmes vendit ku ndodhi.

Dhe këtu janë pyetjet që kërkojnë përgjigje: Kush ishte realisht Sokrat Vata? Punonjës plazhi, bodyguard apo të dyja? Për kë shërbente si bodyguard dhe pse dy shtetasit turq e morën me vete pas ngjarjes?

Çfarë marrëdhënieje kishte viktima me personat e tjerë të përfshirë në konflikt?

Dhe mbi të gjitha: A ishte viktima thjesht një turist që u gjend rastësisht në vendin e gabuar, apo konflikti kishte një prapavijë që ende nuk është bërë publike? Pikërisht këtu duhet të përqendrohet hetimi. Jo vetëm te thika që mori jetën e një shtetasi portugez, por te rrjeti i marrëdhënieve që shfaqet pas saj. Nuk mund të njolloset Turizmi dhe rendi publik, në imazhin ndërkombëtar, kur motivet e vrasjes mund të jenë përtej të qënurit viktimë turisike.


Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *