Vizita e Volodymyr Zelenskyt në Beograd nuk ishte thjesht një takim diplomatik. Për Aleksandar Vuçiçin, ajo duket se ishte një manovër e kujdesshme për të ruajtur njëkohësisht dyert e hapura me Perëndimin dhe Rusinë. Në njërin krah, Vuçiçi priti në Beograd presidentin ukrainas, duke i dhënë një sinjal të qartë Brukselit se Serbia mund të afrohet me Ukrainën dhe Perëndimin. Në krahun tjetër, ai vazhdon të mos vendosë sanksione ndaj Moskës dhe këmbëngul se Serbia nuk ka ndryshuar qëndrimin ndaj Rusisë.
Por deklarata e Zelenskyt se Ukraina nuk e njeh Kosovën si shtet i dha Vuçiçit një mburojë të fuqishme politike. Presidenti serb u përgjigj kritikëve duke theksuar se Serbia nuk ka kaluar në anën e Ukrainës kundër Rusisë dhe se Beogradi nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës. Kjo është pika kyçe: Vuçiçi mund t’i tregojë Perëndimit se po hap një kanal të ri me Kievin, ndërsa Moskës t’i thotë se takimi nuk ka ndryshuar as qëndrimin ndaj Rusisë, as qëndrimin për Kosovën. Moska nuk flet ende për “tradhti”, por zërat rusë janë ndezur. Reagimet ruse tregojnë një ndarje. Mediat më të moderuara e paraqesin Vuçiçin si një politikan që po përpiqet të ruajë ekuilibrin. Por zërat nacionalistë dhe Z-blogerët rusë kanë reaguar shumë më ashpër, duke e akuzuar Serbinë dhe Vuçiçin për “tradhti ndaj Rusisë” dhe duke pyetur nëse epoka e “vëllazërisë” ruso-serbe po përfundon. Edhe media ruse Abzats e përshkroi takimin si: një provë të politikës së Vuçiçit për të “ndenjur në dy karrige”, mes Moskës dhe Brukselit. Ndërsa Life.ru publikoi vlerësimin e një profesori rus se vizita e Zelenskyt i duhej Vuçiçit për të demonstruar kursin pro-europian të Serbisë. Pra, për momentin, Moska nuk duket se e ka shpallur Serbinë të humbur. Por në qarqet ruse është shfaqur një pyetje shumë më e rrezikshme për Vuçiçin: sa gjatë mund të vazhdojë kjo politikë e ekuilibrit?
Kosova është karta që e shpëton Vuçiçin.
Në këtë lojë, Kosova është argumenti më i fortë i Beogradit. Zelensky erdhi në Serbi, u prit nga Vuçiçi dhe në të njëjtën kohë konfirmoi se Kievi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Kjo i dha presidentit serb mundësinë të paraqiste afrimin me Ukrainën jo si një kthesë kundër Rusisë, por si një marrëdhënie me një shtet që mban të njëjtin qëndrim me Beogradin për Kosovën.
Pas deklaratës së Zelenskyt, edhe në Prishtinë pati reagime të forta, ndërsa media ruse raportoi se flamuri i madh ukrainas u hoq nga qendra e Prishtinës. Kështu, Vuçiçi fitoi atë që i duhej: një afrim me Perëndimin pa e këputur ende fillin me Moskën. Por kjo lojë ka një kufi. Sa më shumë që Beogradi afrohet me Brukselin dhe Kievin, aq më e vështirë bëhet për Vuçiçin të bindë Moskën se asgjë nuk ka ndryshuar.
Për momentin ai vazhdon të mbajë të dyja hapësirat: Rusinë përballë Perëndimit dhe Perëndimin përballë Rusisë. Pyetja që mbetet është nëse kjo është një strategji e qëndrueshme apo vetëm një mënyrë për të fituar kohë. Sepse Zelensky mund t’i ketë dhënë Vuçiçit mburojën e Kosovës, por përballë Moskës, përqafimi me presidentin ukrainas ka hapur një plagë që nuk mund të mbulohet pafundësisht me fjalën “balancim”.


Lini një Përgjigje