MATILDA KURTI
Një jetë mes mikrofonit, sportit dhe lajmit të vërtetë. Nga Shkodra në Korçë, nga qyteti te fshati më i largët, në shi, borë e stuhi, me këmbënguljen e gazetarit që nuk priti kurrë që lajmi t’i vinte në redaksi.
Gazetari dhe moderatori shkodran, i cili gjeti në Korçë jo vetëm një vendbanim, por një hapësirë ku do të ndërtonte jo vetëm një familje gjysëm-shkodrane në Korçë, por do të afirmonte karrierën e tij. Ai është një nga ata njerëz të medias që nuk mund të maten vetëm me emisionet që kanë drejtuar apo kronikat që kanë transmetuar.
Ai duhet parë përmes viteve të punës në terren, përmes njerëzve që ka takuar, historive që ka sjellë në ekran dhe këmbënguljes për të qenë aty ku ndodhte lajmi.
I lindur në Shkodër, Frroku mbart me vete një trashëgimi të fortë qytetarie, kulture dhe tradite. Është nga ata njerëz që, edhe kur jeta i vendos larg vendlindjes, nuk e lënë origjinën të tretet në distancën gjeografike. Ruajtja e gjuhës, traditave, zakoneve dhe identitetit të vendit nga vjen nuk është për të një kujtim nostalgjik, por pjesë e mënyrës se si jeton dhe komunikon me të tjerët.
Një shkodran me shpirt tradicional, që në Korçë ka ditur të ruajë identitetin e vet, por edhe të bëhet pjesë e qytetit që e mirëpriti. Dhe Korça, qyteti me traditë të fortë kulturore, arsimore dhe qytetare, u bë skena e një rrugëtimi të gjatë profesional.
Karriera e tij nuk u ndërtua nga larg. U ndërtua cep më cep të qarkut të Korçës. Në rrugët e qytetit, në fshatra të humbur mes maleve, në zona të thella ku jo gjithmonë mbërrinte lehtë një ekip televiziv, Tonin Frroku ishte në kërkim të lajmit. Nuk kishte rëndësi nëse rruga ishte e vështirë, nëse moti ishte i keq apo nëse terreni kërkonte orë të tëra udhëtimi.
Në shi, borë e stuhi, ai vazhdonte të kërkonte historinë që duhej treguar. Sepse gazetaria e terrenit nuk është vetëm të mbash mikrofonin përpara kamerës. Është të shkosh te njerëzit, të dëgjosh shqetësimet e tyre, të shohësh me sytë e tu realitetin dhe të kthesh në lajm atë që shpesh mbetet jashtë vëmendjes. Është të mos e ngatërrosh lajmin me realitetin, por ta ndertosh të shkrirë në të, por gjithashtu dhe të mos e zëvendësosh të vërtetën me përshtypjen.
Në këtë rrugëtim, Frroku ka ndërtuar një profil që ndërthur gazetarinë sportive me kronikën e përditshme. Sporti ka qenë një nga pasionet dhe shtyllat e tij profesionale.
Me përvojën e një njeriu që e njeh emocionin e garës dhe intensitetin e fushës sportive, ai e ka përcjellë lajmin me ritmin dhe vendosmërinë e një sportisti: si grushti i boksierit të formuar në Shkodër, i drejtpërdrejtë, i përqendruar dhe pa hezitim përballë sfidës.
Por përtej sportit, kamera e tij ka ndjekur edhe jetën reale të njerëzve: ngjarje të rënda, problematika sociale, vështirësi të komuniteteve dhe potenciale të pashfrytëzuara të zonave të Korçës. Kjo është një gazetari që nuk kufizohet brenda studios, sepse jeta nuk zhvillohet vetëm në studio.
Nga Radio Shkodra te mediat në Korçë, nga RTSH-ja te televizioni dhe shtypi sportiv, rrugëtimi i tij ka kaluar nëpër etapa të ndryshme të medias shqiptare. Ka njohur kohën e radios, zhvillimin e televizionit dhe ndryshimet e mëdha që solli gazetaria moderne. Ka parë se si ndryshon teknologjia, por ka ruajtur një bindje të vjetër dhe të vlefshme: lajmi duhet kërkuar, verifikuar dhe transmetuar.
Vlerësimi me çmimin e karrierës „Hamit Boriçi“ nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, dega Shkodër, është një dëshmi e lidhjes së tij me profesionin dhe vendlindjen. Edhe në Korçë, kontributi i tij në gazetarinë sportive është vlerësuar publikisht, duke dëshmuar se puna e gjatë nuk kalon pa lënë gjurmë.
Por ndoshta vlera më e madhe e Tonin Frrokut nuk qëndron te çmimet dhe titujt. Qëndron te fakti se ai e ka jetuar gazetarinë në terren, aty ku lajmi nuk ka fjalë fasadash, ku njerëzit nuk kanë skenar dhe ku realiteti nuk mund të zbukurohet me fjalë.
Ai është shkodrani që Korçën e bëri pjesë të historisë së tij dhe që, në të njëjtën kohë, i dha qytetit një kontribut të vetin në pasqyrimin e jetës publike. Një njeri që nuk hoqi dorë nga rrënjët, por diti të krijojë degë të reja në një qytet tjetër.
Dhe në këtë hartë të gjatë, nga Shkodra në Korçë, nga qyteti në fshatin më të largët, nga fusha sportive te shtëpia e banorit që pret të dëgjohet, Tonin Frroku ka lënë gjurmën e një gazetari të dashur, të kudogjendur, fisnik, miqësor për çdo njeri që mjafton I troket, tek dera e shtëpisë, tek dera e studio, tek numrat dhe adresat e kontaktit të tij.
Tonin Frroku mbetet emblema e gazetarit të formuar mes dashurisë për Shkodrën dhe qytetërimit të Korçës, dy qyteteve që në rrugëtimin e tij u bënë jo vetëm origjinë dhe destinacion, por pjesë e pandashme e identitetit të tij.”

Lini një Përgjigje