ARGUMENTI NEWS | Ekonomi – Investigim
A po fillon në Shqipëri një luftë për territore që nuk kufizohet më vetëm te pronat dhe tokat, por po shtrihet edhe në botën e biznesit? A po kthehet konkurrenca ekonomike në një betejë për kontrollin e tregut, klientelës dhe influencës? Dhe mbi të gjitha, a është kjo Shqipëria me ekonominë e fortë dhe klimën e biznesit që na është premtuar, apo një realitet ku suksesi i një sipërmarrjeje mund të vihet papritur përballë rreziqeve që kërkojnë shpjegim?
Rasti i Kafes Thomas (Thomas Enkelana) në Pogradec ngre pikërisht këto pikëpyetje.
Jo çdo biznes arrin të përballojë sfidat e tregut, luhatjet ekonomike dhe konkurrencën e vazhdueshme. Shumë sipërmarrje e nisin rrugëtimin me ambicie, por pak prej tyre arrijnë të kthehen në histori suksesi që zgjasin në kohë. Por kur bie fjala për Thomas Enkelana me plot bindje mund të themi, se është një nga ato histori që, prej vitit 1992, ka dëshmuar qëndrueshmëri, zhvillim dhe aftësi për të fituar një vend të rëndësishëm në industrinë shqiptare të kafesë.
E nisur në vitin 1992 si një biznes familjar, kompania ka ndërtuar gjatë 34 viteve një emër të njohur në industrinë shqiptare të kafesë. Nga një aktivitet modest, ajo është zhvilluar në një sipërmarrje me teknologji bashkëkohore, linja të automatizuara prodhimi, një gamë të gjerë produktesh dhe rrjet shpërndarjeje.
Një histori që nuk është ndërtuar brenda natës, por përmes investimeve, punës dhe konsolidimit në treg. Produktet e saj janë bërë pjesë e tregut shqiptar, ndërsa kompania deklaron edhe orientim drejt tregjeve ndërkombëtare.
Thomas nuk është thjesht një emër në raftet e dyqaneve apo në banakët e lokaleve. Është një histori sipërmarrjeje shqiptare që ka arritur të krijojë identitet në një industri me konkurrencë të fortë.Por sot, kjo histori përballet me një ngjarje që nuk mund të kalojë si një lajm i zakonshëm kronike.
Fabrika e re e kompanisë në aksin Pogradec–Korçë është përfshirë për herë të dytë nga zjarri brenda një periudhe të shkurtër.
Mbrëmjen e 30 tetorit, flakët përfshinë një pjesë të konsiderueshme të objektit. Në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse dhe policia. Fatmirësisht, nuk raportohen persona të lënduar. Shkaqet dhe dëmet ende nuk janë bërë të ditura zyrtarisht.
- Dhe këtu nis problemi.
- Si shpjegohet që një fabrikë moderne, pjesë e një biznesi me 34 vite përvojë në industri, përfshihet dy herë nga zjarri brenda një kohe kaq të shkurtër?
- A mund të jetë thjesht një problem teknik?
- A janë marrë masat e duhura pas incidentit të parë?
- A është kryer ekspertizë dhe a janë kontrolluar sistemet e sigurisë?
Ekziston një shprehje popullore: Kush digjet nga qumështi, i fryn edhe kosit. Një biznes që ka investuar kaq shumë në zhvillimin e tij nuk mund të mos ketë marrë seriozisht rrezikun pas zjarrit të parë. Pikërisht për këtë arsye, përsëritja e ngjarjes kërkon një hetim të plotë dhe një shpjegim që shkon përtej njoftimit se zjarrfikëset ndërhynë për shuarjen e flakëve.
- Por a duhet të shohim vetëm nga ana teknike, apo duhet të ngremë edhe një pyetje tjetër:
- a po kthehet konkurrenca në Shqipëri në luftë për territorin e biznesit?
- Në industrinë e kafesë, territori nuk është vetëm një hapësirë fizike. Ai është tregu, klientela, rrjeti i furnizimit, lokalet, kontratat dhe marrëdhëniet tregtare. Është influenca ekonomike që një markë ka ndërtuar ndër vite. Dhe kur bëhet fjalë për një industri me interesa të konsiderueshme, konkurrenca duhet të jetë e lirë, transparente dhe e ndershme.
- Askush nuk mund të akuzojë një konkurrent pa prova. Por askush nuk mund të kërkojë as që dy zjarre në të njëjtin investim të trajtohen si një rastësi që nuk meriton pyetje.
- A ka pasur presione ndaj kompanisë?
- A ka pasur konflikte ekonomike apo tregtare?
- A ekziston ndonjë indicie për një përpjekje për të cenuar pozicionin e saj në treg?
- A po hetohet edhe mundësia e një akti të qëllimshëm?
Këto janë pista që mund të shqyrtohen vetëm nëse mbështeten në fakte, por institucionet kanë detyrimin të mos lënë asnjë rrethanë pa verifikuar.
Ndërkohë, lind edhe një pyetje për politikën dhe institucionet që flasin për klimë të favorshme biznesi, për investime dhe zhvillim ekonomik: Çfarë garancish ka një sipërmarrës në Shqipëri se puna e 34 viteve, investimet dhe kapitali i tij janë të mbrojtura?
Nuk mjafton të ftohen investitorët të ndërtojnë fabrika, të hapin vende pune dhe të prodhojnë në Shqipëri. Shteti duhet të garantojë edhe sigurinë e tyre. Nuk mjafton të flitet për konkurrencë të lirë, nëse nuk ka transparencë për çdo rast kur një biznes përballet me ngjarje të përsëritura që rrezikojnë aktivitetin e tij.
Kush po e mbron konkurrencën e ndershme dhe kush garanton se suksesi nuk kthehet në një objektiv për t’u goditur?
Rasti i Thomas Enkelana kërkon përgjigje nga Policia, Prokuroria dhe strukturat e sigurisë kundër zjarrit. Çfarë e shkaktoi zjarrin e parë? Çfarë masash u morën pas tij? Çfarë e shkaktoi të dytin? A janë përjashtuar defektet teknike dhe a po hetohen të gjitha pistat e tjera të mundshme?
Thomas Enkelana ka ndërtuar historinë e saj për 34 vite. Tani është radha e institucioneve të tregojnë nëse dinë të mbrojnë një histori të tillë suksesi.
Për Argumentinews.com: Matilda Kurti


Lini një Përgjigje