Ne luftuam për të hapur kufijtë. Sot fëmijët tanë protestojnë për pasojat e lirisë!
Matilda Kurti
Në dhjetorin e vitit 1990, ne dolëm në rrugë për të përmbysur një sistem që na kishte mbyllur brenda kufijve të tij. Kërkuam pluralizëm, demokraci, liri dhe të drejtën për të zgjedhur jetën tonë. Thyemë muret e ambasadave, u nisëm me anije drejt Italisë, kaluam kufijtë në mënyra që sot duken të pabesueshme. Lamë pas prindër, vëllezër, motra e fëmijë.
Në atë kohë, nuk mendonim për vetminë që do t’u linin prindërve tanë, as për boshllëkun që do të krijonim në vendin tonë.
Mendonim për një ëndërr të vetme: të jetonim si gjithë njerëzit e lirë të Europës.
- Ne luftuam që fëmijët tanë të mos përjetonin izolimin tonë.
- Që të mos kishin nevojë të arratiseshin,
- të mos rrezikonin jetën në det, të mos kalonin kufijtë fshehurazi.
- Donim që ata të udhëtonin lirshëm,
- të studionin, të punonin dhe të ndërtonin të ardhmen aty ku dëshironin.
Dhe sot, pas 36 vitesh, përballë nesh qëndron një paradoks që të bën të mendosh. Fëmijët e atij brezi që kërkoi lirinë, pasardhësit e atyre që thyen muret për të hyrë në botën e lirë, dalin në rrugë dhe protestojnë duke shkatërruar, sikur gjithçka e arritur të mos ketë asnjë vlerë.

- Ata kanë në duar telefona të trendeve më të fundit, që ne nuk i imagjinonim, ata udhëtojnë me makina private, ndërsa ne udhëtonim me kamionet e qymyrit ose druve.
- Ata studiojnë e jetojnë në një botë që për ne nuk ishte as në ëndërr.
- Dhe, megjithatë, një pjesë e tyre e shohin të shkuarën dhe të tashmen vetëm përmes asaj që mungon, duke hedhur poshtë edhe atë që është fituar me dekada përpjekjesh.
Ne protestonim për të fituar atë që ata sot e kanë. Ata protestojnë sikur ajo që kanë nuk është fituar kurrë.
Sigurisht, Shqipëria nuk është vendi ideal. Ka padrejtësi, korrupsion, pabarazi dhe probleme që duhen zgjidhur. Të rinjtë kanë të drejtë të kërkojnë më shumë dhe të kundërshtojnë çdo gjë që mendojnë se është e gabuar.
Por ka një dallim mes kritikës që kërkon përmirësim dhe mohimit të çdo arritjeje, mes protestës për një të ardhme më të mirë dhe bindjes se gjithçka është e pavlerë.
- Ne nuk kishim këpucët në këmbë por çisme llastiku,
- ata kërkojnë të kenë veshjet e fimat e luksi në këmbët e tyre.
- Ne jetonim në pallate dhe shtëpi me parfabrikate por as e imagjinonim tê ëndërronim apartamente luksoze në kulla, ata sot pa e ditur çfarë është puna protestojnë se nuk blejne dot një hyrje në kullat luksoze.
- Ne ëndërronim të kalonim kufirin pa frikë, të kishim një pasaportë që na hapte dyert e botës, të mos na duhej të kërkonim strehim politik në ambasada për të shpëtuar nga izolimi.
- Sot, një pjesë e atyre që i kanë këto mundësi na qortojnë për një vend nga i cili dikur kërkuam të largoheshim.
Po, ne e hapëm rrugën që ata të largoheshin dhe mos jetonin jetën tone. Por nuk luftuam që ata të mohonin gjithçka që u trashëguam. Luftuam që të kishin më shumë mundësi se ne, jo që të harronin se nga nisëm.
Dhe ja ku qëndron kundërshtia e madhe e kohës sonë: ne kërkuam lirinë për të mos qenë të burgosur brenda vendit tonë; ata e kanë lirinë, por shpesh sillen sikur janë të burgosur prej saj.
- Ndoshta ky është çmimi i brezave që nuk e kanë përjetuar mungesën.
- Ajo që për ne ishte sakrificë, për ta është e zakonshme.
- Ajo që ne e fituam duke rrezikuar gjithçka, për ta është një e drejtë që ka qenë gjithmonë aty.
Dhe kur arritjet bëhen të zakonshme, harrohet sa e vështirë ishte të fitoheshin. Unë nuk kërkoj që të rinjtë të heshtin. Kërkoj që të dinë çfarë po kundërshtojnë, dhe po shkatërrojnë, çfarë është arritur dhe çfarë duhet ende të ndryshojë.
Sepse një shoqëri nuk ecën përpara duke mohuar çdo gjë që ka ndërtuar, por duke ruajtur arritjet dhe duke luftuar për ato që mungojnë. Ne luftuam që fëmijët tanë të kishin një botë më të madhe se e jona.
Do të ishte e dhimbshme nëse, në vend që ta çonin më tej këtë botë, ata do ta përkufizonin veten vetëm përmes pakënaqësisë ndaj saj.


Lini një Përgjigje