Poeti Korçar Skënder Rusi – Ikona e Dashurisë së Përjetshme

MATILDA KURTI

Ka poetë që shkruajnë për dashurinë sepse dashuria është muza e shpirtit të tyre, por të rralë janë ata poetë që e shndërrojnë dashurinë në fe. Pikërisht një i tillë është Skënder Rusi.

Skënder Rusi lindi në vitin 1952 dhe u nda nga jeta më 31 maj 2024, në moshën 72-vjeçare. Ai kreu studimet për gjuhë-letërsi, u diplomua më pas në dramaturgji dhe drejtoi për shumë vite Bibliotekën “Thimi Mitko” në Korçë. Ishte gjithashtu drejtues i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e Re” dhe organizator i aktivitetit kulturor “Netët Korçare të Poezisë”.

Skënder Rusi u bë i njohur sidomos për: poezinë lirike kushtuar dashurisë;vargjet me ndjeshmëri të thellë njerëzore; poezitë për Korçën, miqësinë dhe jetën. Një nga thëniet e tij më të njohura është: “Dashuria nuk plaket; plaken vetëm ata që reshtin së dashuruari.” Ai nuk e ndërtoi poezinë mbi ngjarje të jashtme, por mbi lëvizjet më të fshehta të shpirtit njerëzor.

Në çdo varg të tij ndjehet besimi se dashuria është forca e vetme që i mbijeton kohës, mungesës, dhimbjes dhe madje edhe vdekjes. Në poezinë shqipe është e vështirë të gjesh një poet që e ka trajtuar figurën e gruas me aq përkushtim dhe delikatesë sa Skënder Rusi. Gruaja tek ai nuk është vetëm e dashura. Ajo është gjenerator, frymëzim, shpëtim, plagë dhe shenjtëri njëherësh. Pikërisht për këtë arsye, poezia e tij nuk mbetet në kufijtë e romantizmit, por merr përmasa metafizike.

Këtë e dëshmon në mënyrë të jashtëzakonshme poezia “Ikona e dashurisë”. Krishti del nga ikona jo për të bërë një mrekulli, as për të gjykuar njerëzit, por për të kërkuar vetëm një njeri: Magdalenën. Është një përmbysje poetike e rrallë. Hyjnorja zbret në tokë, sepse dashuria është më e fortë se vetë përjetësia e ikonës. Kur nuk e gjen atë që kërkon, Krishti kthehet në ikonë. Por vendi i tij nuk është më bosh. Në ikonë tashmë ka hyrë Magdalena. Në këtë çast poezia kapërcen kufijtë e një historie biblike dhe bëhet një meditim mbi dashurinë njerëzore. Ajo që deshi me gjithë qenien e saj bëhet vetë ikonë, sepse dashuria e vërtetë gjithmonë ka diçka prej sakrifice.

Vargu përmbyllës është një nga më të fuqishmit në poezinë moderne shqipe: “Se Magdalena ish dhe grua, / Dhe shumë Krisht, megjithatë!” Në vetëm pak fjalë, Skënder Rusi arrin të thotë se gruaja mban mbi vete kryqin e saj, dhimbjen e saj dhe aftësinë e saj të pafund për të dashur. Ai nuk e vendos atë në hijen e Krishtit, por e ngre në të njëjtën lartësi shpirtërore, si simbol të flijimit dhe dashurisë.

Kjo është arsyeja pse Skënder Rusi mbetet poeti i dashurisë së përjetshme. Ai nuk shkroi për dashurinë kalimtare, por për atë që vazhdon të jetojë edhe kur njerëzit largohen, edhe kur koha kalon, edhe kur ikona mbetet vetëm një copë dru. Në botën e tij poetike, dashuria nuk është emocion; është mënyrë ekzistence.

Sot, Skënder Rusit, kujtojmë jo vetëm si një poet të madh, por një njeri që i dha gjuhës shqipe disa nga vargjet më të bukura të dashurisë. Poetët largohen nga kjo botë, por ata që dinë ta kthejnë dashurinë në art nuk vdesin kurrë. Ata vazhdojnë të jetojnë në çdo zemër që gjen veten në vargjet e tyre.


Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *