Kush po e komandon shtetin pas fasadës së pushtetit?
Prej një viti të tërë, Shqipëria po përballet me situata të jashtëzakonshme. Një ish-zëvendëskryeministre që ka drejtuar qeverinë dhe politikën e Partisë Socialiste përballet me drejtësinë. Një kryetar bashkie, pikërisht kryetari i kryeqytetit, përfundon në burg pa një vendim përfundimtar gjykate. Titullarë dhe institucione të rëndësishme janë goditur njëri pas tjetrit.
Dhe tani, në qendër të kësaj katrahure shfaqet edhe siguria e shtetit.
Ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, përfshihet në një dosje ku ngrihen akuza dhe dyshime të rënda për komunikime dhe informacion, ndërsa në të njëjtën histori shfaqet emri i Ergys Agasit.
Nëse ajo që po hetohet do të provohet, atëherë nuk kemi më përpara thjesht një skandal politik. Kemi përpara një pyetje shumë më të madhe: Kush e ka komanduar realisht shtetin shqiptar? Sepse lajmet e fundit po na detyrojnë të shohim përtej fasadës.
Ndoshta Rama nuk është i gjithë problemi. Ndoshta as Belinda Balluku. Ndoshta as Sali Berisha. Ndoshta pas gjithë kësaj skene politike ka ekzistuar një pushtet i tretë. Një pushtet që nuk votohet, nuk del në fushata, nuk përgjigjet para qytetarëve, por që mund të ndikojë, të urdhërojë, të shantazhojë dhe të përdorë njerëzit dhe institucionet.
Emrat që kanë dalë në sipërfaqe janë Ergys Agasi, Vlora Hyseni dhe të tjerë që mund të jenë pjesë e kësaj historie. Por pyetja është: edhe sa emra më tjerë fshihen pas tyre?
Për vite kemi parë të njëjtën skenë: Rama dhe Berisha. Mazhoranca dhe opozita. E majta dhe e djathta. Por po sikur pas kësaj përplasjeje të ketë vepruar një palë e tretë? Një palë që nuk kishte nevojë për vota, parlament apo fushata, sepse mund të ndikonte mbi të dyja anët e skenës politike?
Nëse kjo do të provohej, atëherë shumë prej ngjarjeve të këtyre viteve do të merrnin një tjetër kuptim. Sepse edhe Rama, edhe Balluku, edhe Berisha mund të mos kenë qenë autorët e çdo gjëje që ka ndodhur. Mund të kenë qenë edhe vetë pjesë e një sistemi presioni, ndikimi dhe përdorimi.
Dhe këtu hyn edhe historia e Arben Ahmetajt. Sot, duke parë zhvillimet e fundit, lind pyetja nëse siguria me të cilën Ahmetaj dilte publikisht, informacionet që përcillte dhe intervistat e tij të vazhdueshme kundër qeverisë mund të kenë qenë pjesë e një mekanizmi më të madh presioni.Nëse pas tij ka ekzistuar një pushtet i tretë që e furnizonte me informacion, i jepte siguri dhe e përdorte si instrument presioni ndaj qeverisë, atëherë edhe një tjetër pyetje bëhet e pashmangshme: Kush e mbronte Ahmetajn dhe pse ai nuk prekej?
Kjo nuk është një përgjigje. Është pyetja që kërkon përgjigje nga hetimi. Sepse nëse gjithçka që po del në dritë është vetëm maja e një sistemi më të madh, atëherë Shqipëria mund të mos ketë pasur thjesht një problem me qeverinë, opozitën apo drejtësinë. Mund të ketë pasur një problem me vetë mënyrën se si është ushtruar pushteti.
Një pushtet mbi pushtetin. Një shtet brenda shtetit. Një mekanizëm që mund të ketë përdorur njerëzit, institucionet dhe konfliktet politike për të mbijetuar. Prandaj pyetja sot nuk është më vetëm: Kush është Rama? Kush është Berisha?Pyetja është shumë më e madhe:
KUSH I KA KOMANDUAR ATA QË NE MENDONIM SE KOMANDONIN SHQIPËRINË?
Dhe nëse përgjigjja e hetimeve do të çojë te një pushtet i tretë, atëherë Shqipëria mund të ketë qenë për vite duke parë fytyrat e pushtetit, ndërsa pushteti real vepronte pas tyre.
Nga: Ing. Matilda Kurti
Lini një Përgjigje